Skandal në aeroportin e Shkupit: Kallëzim anonim zbulon skemë të dyshuar për kontrabandë migrantësh me ndihmë të policisë!

Një kallëzim penal anonim i dorëzuar në institucionet kompetente ka vënë në alarm autoritetet, duke kërkuar hetim urgjent për një skemë të mundshme të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Sipas kallëzimit, dyshohet se shtetas nga Nepali, Bangladeshi, India dhe Pakistani – të cilët kishin leje qëndrimi nga Qiproja – kanë hyrë në vend përmes aeroportit të Shkupit me ndihmën e mundshme të zyrtarëve policorë, kundrejt një pagese prej rreth 800 eurosh për person.

Detajet kryesore të skandalit:
Shifrat e dyshuara: Vetëm nga 1 deri më 24 gusht, dyshohet se përmes aeroportit kanë hyrë rreth 300 persona (shifër që duhet të verifikohet zyrtarisht).

Rrugët e rekrutimit: Si provë janë dorëzuar video nga profili “Smartway Travels” në TikTok, ku reklamohen itineraret përmes Qipros dhe Maqedonisë së Veriut drejt vendeve të BE-së (çmimet shkojnë nga 4.500 deri në 4.800 euro).

Destinacioni final: Dyshohet se një pjesë e këtyre personave më pas kanë braktisur vendin në mënyrë ilegale për të vazhduar drejt Greqisë, Serbisë, Italisë e Spanjës.

Kallëzuesi kërkon nga institucionet që urgjentisht të sigurojnë kamerat e sigurisë, listat e fluturimeve dhe regjistrimet elektronike – para se të fshihen provat – për të zbardhur lidhjet e mundshme mes ndërmjetësve dhe zyrtarëve policorë.