Skandal: Bujar Osmani paguhet me paratë tona, e thotë mbrohuni vetë nga korona!

Fejzi HAJDARI

Vazhdojnë skandalet e ditëpërditshme të zëvendës kryeministrit Bujar Osmani. Edhe pse merr rrogë nga Buxheti që mbushet me paratë e qytetarëve, në postimin e fundit në facebook, ai, tekstualisht, u thotë qytetarëve që të mos presin kurrfarë ndihme nga institucionet për tu mbrojtur nga pandemia, por të mbrohen vetë si munden e si dinë.
“Secili le ta mbron pragun e shtëpisë vet dhe anëtarët e familjes së vet. Askush nuk do e bën atë për ju!”, ka shkruar Osmani në postimin e tij skandaloz.
Logjika e Osmanit, që duhet ta përsërisë edhe njëherë se është skandaloze, domosdoshmërisht e impononin pyetjen: Pse ekzistojnë institucionet dhe pse paguajnë tatime qytetarët, nëse vetë duhet të mbrohen?
Po të bënte një skandal të tillë në ndonjë vend tjetër, Osmani po se po që do të dorëhiqej, por, vështirë se do të kalonte vetëm me dorëheqje. (Jam i sigurt se po ta takonin në rrugë qytetarët, do ta hidhnin në ndonjë kontejner, siç kemi parë në internet shumë raste në vende të ndryshme).
Dorën në zemër, Osmani nuk do të kalonte aspak lehtë po të bënte skandal të këtillë në prill ose maj, kur piku i epidemisë ishte në pjesën e vendit të banuar me maqedonas. Maqedonasit do ta bënin “partall” dhe jam i sigurt se nëse nuk do jepte dorëheqje, do ta shkarkonte kryeministri Spasovski.
Mirëpo, tani, që piku është zhvendosur te shqiptarët, e ka më lehtë. “Shqiptarët nuk reagojnë çka do që tu bëjmë”, është logjika që gjatë kohë vërehet tek ai dhe bashkëmendimtarët e tij. Kurse te një pjesë bukur e madhe e maqedonasve (prej reagimit të cilëve realisht frikohet Bujar Osmani dhe partia e tij), ka filluar të vërehet disponimi “virusot e kaj shiptarite sega, shto sakat neka pravat”. Pse të reagojnë maqedonasit kur shumica e tyre Bujar Osmanin dhe çiftin e tij, e konsiderojnë si politikan ideal shqiptar: “flet mirë maqedonisht”, punon keq për shqiptarët dhe çka është më me rëndësi është i dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim detyre (sirtarët i kemi përplot me dosje për të dhe shokët e tij). Deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, sipas mendimit tim, ky është profili i politikanit shqiptar, që për fat të keq edhe më tutje e simpatizojnë edhe partitë maqedonase, edhe shërbimet sekrete maqedone, por edhe një pjesë goxha e madhe e qytetarëve maqedonas.
Dhe këtë heshtje të maqedonasve po e shfrytëzon mirë Osmani dhe partia e tij.
Ai mban një nga postet më të rëndësishme dhe me përgjegjësi më të lartë kur është në pyetje lufta kundër epidemisë. Këtë rol bile e theksonte pa ndërprerë kur epidemia ishte në rënie. Madje në stilin e Mulla Sulës doli dhe gati e shpalli të vdekur koronavirusin, duke falënderuar qytetarët për përgjegjësinë e treguar.
Mirëpo tani që situata ka dalë nga kontrolli, vazhdimisht përpiqet që fajin ta hedhë nga institucionet tek qytetarët në stilin “mbrojeni vetë pragun e shtëpisë”. Shfrytëzohen disa tekste dhe video kronika mediale për të përhapur me të madhe propagandën e stilit ja qytetarët (lexo: shqiptarët) nuk po besojnë se ekziston koronavirusi dhe nuk po respektojnë masat, kështu që vetë ata i kanë fajet, institucionet nuk kanë asnjë përgjegjësi.
Nëse nisemi nga kjo logjikë, ne mund të intervistojmë me mijëra qytetarët të cilët mendojnë se nuk duhet të paguajnë tatime ndaj shtetit, por a do të thotë kjo se ata do të lirohen nga ky obligim?
Qindra e qindra qytetarë mund të intervistojmë që mendojnë se Bujar Osmani dhe bashkëpartiakët e tij nuk duhent të marin rrogë nga paratë e tyre që i japin në buxhet. A do të hiqnin dorë nga rrogat e tyre Osmani dhe bashkëpartiakët në rast të tillë? Normal që jo!
Prandaj edhe një herë po kthehem tek poenta kryesore që dua ta theksoj përmes këtij teksti: Nuk duhet të kemi iluzione se maqedonasit, ose dikush tjetër do të na lirojë neve shqiptarëve të Maqedonisë nga figura të dëmshme politike. Këtë duhet ta bëjmë vetë ne. Patjetër duhet ta them që jam i gëzuar se shqiptarët e kanë kuptuar këtë dhe mezi presin zgjedhjet e ardhshme për të bë ndryshimin e shumëpritur.