Skadon dekreti për bastoret, lojërat e fatit online prej sot vetëm përmes video lotarisë shtetërore

Skadoi afati gjashtëmujor për Dekretin me të cilin bastoret kishin mundësi të organizojnë pagesa online. Nga Asociacioni i Bastoreve Sportive të Maqedonisë kërkojnë nga Qeveria që edhe në periudhën që vijon adhuruesit e këtyre lojërave të mund të bëjnë pagesë edhe nga kompjuteri i tyre, sepse në të kundërtën, siç thonë, shteti rrezikon të humb qindra miliona euro në buxhet. Sipas përllogaritjeve të Asociacionit, në periudhën maj-dhjetor, nga pagesat online në arkën shtetërore kanë hyrë afër 2 milion euro.

“Kërkojmë urgjentisht me procedurë të shkurtuar, Qeveria ta zbatojë Dekretin në Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Zbavitëse. Qeveria kishte 6 muaj të gjejë ndonjë zgjidhje ligjore për vazhdim të këtij Dekreti, por kjo nuk ndodhi. Ne apeluam para mediave, por i bëmë thirrje edhe Qeverisë, edhe Ministrisë së Financave, duke kërkuar takim që t’i adresojmë sfidat dhe përfitimet nga kjo industri, por hasëm në vesh të shurdhër”, deklaroi Vasko Ilijevski – kryetar i Asociacionit të Bastoreve Sportive.

Megjithatë, lojërat e fatit online do të mund të organizohen edhe në të ardhmen. Video Lotaria Shtetërore e Maqedonisë është organi i vetëm i licencuar i cili mund të organizojë lojëra të tilla. Këto shërbime janë të qasshme nga viti 2015 dhe do të jenë në dispozicion edhe në të ardhmen. Kjo do të thotë se lojërat e fatit të cilat i organizoi ose do t’i organizojë Video Lotaria nuk janë përfshirë në Dekretin e Qeverisë, i cili skadon sot.

“Video Lotaria Shtetërore e Maqedonisë në pajtueshmëri me Nenin 7 të Ligjit për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Zbavitëse, ka të drejtë t’i organizojë edhe lojërat e fatit në internet derisa të skadojë Marrëveshja për themelim, kurse autorizimi për të organizuar lojëra online del nga vetë Ligji në fjalë dhe nuk i nënshtrohet sistemit për licencim, siç është rasti me organizatorët e tjerë të cilët duan të organizojnë edhe lojëra online të fatit”.

Në fillim të pandemisë, bastoret ishin të parat që u mbyllën, por gjithashtu ishin të parat që i hapën dyert, duke i ofruar shërbimet e tyre. Kazinotë dhe bastoret numërojnë rreth 12 mijë të punësuar. Deri në këtë edicion të lajmeve nuk morëm përgjigje nga Ministria e Financave nëse do ta vazhdojë afatin për organizim të bastit online.