Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës që të ketë përsëritje të procesit zgjedhor në Mitrovicë të Jugut. PDK-ja ishte ankuar për fletëvotimet e përziera ndërmjet klasave dhe çështjes së numrit serik në fletëvotime.
Megjithatë, PZAP-ja e ka cilësuar të pabazë ankesën duke thënë se ankuesi nuk ka prezantuar prova për t’i dëshmuar parregullsitë dhe se pas hetimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezultuar që numri i të gjitha fletëvotimeve të vlefshme, të pavlefshme dhe të dëmtuara përputhet me numrin e fletëvotimeve të pranuara nga Këshilli i Vendvotimit.
Paneli ka thënë se kërkesa që të përsëriten zgjedhjet në të gjithë territorin e Mitrovicës janë të pathemelta.
PZAP-ja ka vlerësuar se nuk ka pasur cenim të integritetit të zgjedhjeve “jo pasi që nga provat e ekzistuese rezulton se ka ekzistuar vetëm gabim teknik në kodin e fletëvotimit në vendvotim, ndërsa numri serikë dhe elementet e tjera që kanë qenë të domosdoshme për sigurinë e fletëvotimit kanë ekzistuar në secilin fletëvotim, ashtu siç është përcaktuar edhe me Rregulloren Zgjedhore KQZ-së 10/2024 fletëvotimet dhe Broshurat dhe plotësim ndryshimi i kësaj Rregullore me Rregulloren nr. 01/2025”.
Sipas Panelit nuk qëndron as pretendimi për “Tren Bullgar”.
PDK-ja i ka dy ditë kohë që të ankohet në Gjykatën Supreme ndaj këtij vendimi.




