“S’ka mundësi për destabilizim”, Kurti: Nuk do t’ju marrim dokumentet serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi gjatë një konference për media sot se nuk ka vend për tensione e destabilizim të situatës për shkak të vendimit të nesërm për reciprocitet të letërnjoftimeve dhe hapjes së afatit për regjistrim të automjeteve me targat RKS për ata që kanë me akronime të qyteteve të Kosovës të lëshuar nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se pret që gjithçka të shkojë mirë, ndërsa paralajmërimet e Beogradit për tensionime thotë se tregojnë më shumë për ata sesa për Kosovën.

“Nuk ka kurrfarë vendi për tension. Nuk ka kurrfarë mundësie për destabilizim sepse po bëhet diçka që legjitime, diçka legale. Ata që flasin për dhunë, ata që flasin për bllokime, ata që flasin për destabilizim. Ata që flasin për tensione, flasin për vete. Nuk flasin për neve. Ata flasin për vete. Ne jemi Republikë demokratike, parlamentare, paqësore dhe besoj që gjithçka do të shkojë siç është më së miri, ndërkaq edhe një herë përfitoj nga rasti që ti ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë targa të kohës së Millosheviqit që t’i konvertojnë në targa legale e legjitime me akronimin e vendit tonë, të shtetit tonë të përbashkët, RKS.”, deklaroi Kurti.

Kurti nuk deshi t’i përgjigjet presidentit serb Aleksandër Vuçiq që mbajti një konferencë për media, por tha se sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria nuk kanë alternativë.

Ai tha se qytetarëve serbë nuk do t’ju merren dokumentet por do të kenë një më tepër me fletë-deklarimin që do ta marrin në pika kufitare.

“Jam i kryeministër i progresit dhe i shpresës e di që në fqinjin tonë verior në skenën politike atje ka shumë politikanë e zyrtarë deri tek kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës e të frikësimit. Besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, Republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternativë andaj edhe uroj, besoj dhe punoj që nesër gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë. Ne nuk do t’ju marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t’ua shtojmë një fletë-deklarim. Ata vijnë me dokumente të lëshuara nga Serbia, ne nuk ua marrim ato, por ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të Republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi. Nga nesër ata do të kenë një dokument më shumë, jo më pak”, tha Kurti.