S’ka interesim të madh për vaksinim te qytetarët e Kumanovës

Shtëpia e Shëndetit Publik në qytetin e Kumanovës tashmë disa ditë ka kryer të gjitha përgatitjet teknike për të realizuar procesin e vaksinimit, si të personelit mjekësor gjithashtu edhe qytetarëve të rajonit të Kumanovës, deklaroi drejtori i Shtëpisë së Shëndetit Publik, Faruk Alili.

“Ambulanca është gati për t’i pranuar ata pacientë të cilën kanë interes për t’u vaksinuar, gjithashtu edhe stafi mjekësor është gati, kemi doktoreshën përgjegjëse si dhe infermieren me përvojë. Termine ende nuk kemi caktuar, do të punojmë vetëm me një ndërrim, është paraparë për paradite por varësisht prej numrit të vaksinave në bazë të numrit të tyre do të realizojmë procesin në një apo dy ndërrime”, tha drejtori i ISHP “Shtëpia e Shëndetit” – Kumanovë, Faruk Alili.

Alili tha se shpreson në rritje të interesimit të qytetarëve për tu vaksinuar, vlen të theksohet se së pari do të kryhet vaksinimi i mantelbardhëve si dhe një pjesë e administratës e pastaj edhe i banorëve.

“Edhe pse për momentin interesimi i qytetarëve nuk është i madh, por shpresojmë dhe besojmë se pasi të fillojë vaksinimi i stafit mjekësor do ta shohin se vaksina nuk është e dëmshme por do të jetë për të mirën e tyre, sa i përket stafit mjekësor, ata të cilët kanë kontakt direkt me pacientët, ata duhet me patjetër të vaksinohen, por ka edhe nga stafi administrativ që janë të interesuar që ta marrin vaksinën.”,- tha për TVM2, Alili.

Ndryshe ditë më parë vendi ynë pranoi 4.680 vaksina nga 8.000 vaksinat e paralajmëruara prodhim i kompanisë “Pfizer”, të cilat janë donacion nga Serbia,kurse ditëve në vijim pritet edhe arritja e vaksinave nga kompania kineze “Sinofarm”, nga e cila vendi ka porositur 200 mijë doza të vaksinave, për të cilat është nënshkruar kontrata dhe është kryer pagesa.