Pushteti nuk ka metodologji mbi të cilën do ta zbatojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Gjyqësor pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Kryeministri Zoran Zaev akoma nuk i ka filluar negociatat me partnerët e koalicionit për formimin e grupeve të punës të cilat do të rekomandojmë zbatimin e gjuhës. Për momentin rekomandimet janë duke i shqyrtuar ekspertët juridik në Qeveri.
Është shumë me rëndësi që e drejta të vlej njëjtë për të gjithë. Të mos dëmtohet asnjë proces me ndonjë të drejtë tjetër në bazë të grupeve të punës do të shqyrtohen të gjitha modalitetet për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias në ligj – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Derisa pushteti kërkon metodologji, kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kire Zdravev thotë se zbatimi i shqipes në Gjyqësor zvarrit procedurat. Zdravev nuk komenton ndryshimet e ligjeve me 2/3 të cilat i paralajmëron pushteti.
Është e qartë dhe e pamohueshme se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve vështirë mund të zbatohet në gjykata, posaçërisht kur e drejta e përdorimit të gjuhës amtare lidhet me gjykatësin i cili udhëheq procesin. Ligji i procedurës penale, procedurës monetare, ai për konteste administrative dhe shumë ligje tjera të cilat nga karakteri formal mbajnë dispozita precize për përdorimin e gjuhëve nga palët në procedurë dhe është e pamohueshme se çdo palë në procedurë derisa nuk e kupton gjuhën maqedonase, mund ta përdor gjuhën e tij amtare dhe në këtë situatë gjykata është obliguar të sigurojë interpretues, respektivisht përkthyes – u shpreh Kire Zdravev, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Komisioni i Venecias rekomandoi pezullimin e zbatimit të shqipes në Gjyqësor për shkak se kjo mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e të gjithë gjyqësorit duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim të drejtë. Mbi rekomandimet, partnerët e koalicionit LSDM-BDI kishin qëndrime të ndara. Partia e kryeministrit Zaev paralajmëroi ndryshime ligjore, ndërsa partia e Ali Ahmetit kërkonte hartimin e kapaciteteve gjyqësore për zbatimin e ligjit. Ditë më parë, dy subjektet njoftuan se janë pajtuar që zbatimi i shqipes të bëhet në kuadër të dispozitave kalimtare në ligj të cilat i mundësojnë organeve zbatimin e gjuhës në përputhje me krijimin e kapaciteteve të nevojshme./Alsat