Në Maqedoninë e Veriut gjatë këtij viti pritet të vazhdojë rindërtimi i disa konvikteve dhe shkollave shtetërore për nevojat e veçanta. Ky investim vjen nga bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë për Arsim dhe Shkencë, Bankës Gjermane për Zhvillim KfW dhe Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.
“Për këtë qëllim, nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, ndërsa me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, janë siguruar mjete në lartësi prej 40 milionë eurosh”, raportoi Ministria.
Ministria sqaroi që në këtë projekt, përveç disa konvikteve, përfshihet edhe rindërtimi i disa objekteve shtetërore me qendra burimore për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore.
“Përmes Programit për Efikasitetin Energjetik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, mbështetur nga Bashkimi Evropian, është siguruar grant jo i kthyeshëm në vlerë prej 1,25 milionë eurosh”, raportoi Ministria.
Projekti përfshin edhe rekonstruimin e shkollës “Shën Klimenti Ohrit” në Novo Sellë, “Koço Racin” në Manastir, “Dimitar Vllahov” në Shkup, “Partenija Zografski” në Shkup, “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup dhe “Iskra” në Shtip.




