Situatë shqetësuese në veri të Kosovës, ka të infektuar në spital e në burg

Situata rreth shpërndarjes së virusit COVID-19 në veri të vendit është jashtëzakonisht shqetësuese dhe po merr përmasa të shpejta ne atë pjesë.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se vetëm në spitalin e veriut të Mitrovicës janë të infektuar tashmë disa punëtorë shëndetësorë, duke përfshirë këtu edhe djalin e drejtorit të këtij spitali që është teknik medicinal, i cili është dërguar për shërim në Beograd, ndërsa ka të infektuar edhe në burgun që ndodhet në atë pjesë.

Sipas këtyre burimeve, është konfirmuar se një gardian i këtij burgu është infektuar me koronavirus dhe shtatë persona tjerë brenda kësaj qendre kanë simptoma të ngjashme.

Poashtu mostrat e disa punëtorëve të spitalit janë dërguar për analiza në Institutin “Torllak” në Beograd, ndërsa shumë kolegë të tyre tashmë janë në vetëizolim, duke përfshirë edhe vetë drejtorin e këtij institucioni, Millan Ivanoviq.

“Numri i personave të infektuar me koronavirus do të rritet sepse janë rreth 100 persona të cilët kanë qenë në kontakt me njerëzit tek të cilët është konstatuar pandemia”, ka thënë për KosovaPress një burim brenda spitalit në veri të Mitrovicës.

Ai shtoi se të gjitha rastet e dyshuara të kontaktit ndodhen në vetëizolim, ndërsa të infektuarit janë duke u mjekuar në spitalet e Beogradit, Nishit dhe Kragujevcit.

Mësohet se dy nga të infektuarit kanë qenë mysafirë në një dasmë më 14 mars në Zveqan, që dyshohet të ketë qenë vatër e kësaj pandemie./Kosovapress/