Situata në Moskë “është e vështirë”, thotë kryebashkiaku

Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se situata në kryeqytetin rus “është e vështirë”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që “të përmbahen nga udhëtimet nëpër qytet sa më shumë që të jetë e mundur”.

“Shërbimet e qytetit janë në gatishmëri të lartë”, tha ai përmes një deklarate të shpërndarë në aplikacionin Telegram.

Sobyanin, po ashtu, njoftoi se e hëna nuk do të jetë ditë pune.

Situata në Rusi u tensionua qysh të premten mbrëma, kur Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit mercenar rus, Wagner, bëri thirrje për rebelim kundër ushtrisë ruse.

Ai e akuzoi atë për sulme kundër forcave të tij në Ukrainë, edhe pse Moska e mohoi një gjë të tillë.

Wagner tha të shtunën se ka marrë nën kontroll qytetin rus, Rostov-on-Don, pranë kufirit me Ukrainën, dhe se tashmë është nisur drejt Moskës.

Disa rrugë dhe ura në kryeqytet janë mbyllur.

Rajoni i Moskës pezulloi të gjitha aktivitetet e mëdha në ambiente të jashtme deri më 1 korrik.