Situata me virusin në Maqedoni, vendi hyri në vitin e ri me mbi 19 mijë raste aktive

Vendi hyri në Vitin e Ri me 19.379 raste aktive të virusit. Dje janë regjistruar 536 raste të reja nga 1662 teste të kryera, 15 të vdekur, 741 pacientë të shëruar.
Në qendrat infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin, përfundimisht me ditën e djeshme ka 871 pacientë të dyshuar ose pozitivë me virus. Në kovid-qendrat ka rreth 450 shtretër spitalorë të zbrazët

Statistikat e kovidit të Ministrisë dikasteriale tregojnë se më shumë raste aktive ka në Shkup 11.333, pasuar nga Tetova me 847, Strumica me 604, Kavadari, Ohri, Manastiri, Prilepi, Kumanova me rreth 500 … ndërsa Kratova ka më pak raste aktive – 17

Në prag të festave, autoritetet shëndetësore apeluan për respektimin e masave dhe protokolleve. Ata tregojnë se me vaksinën që jep shpresë për të gjithë njerëzimin, çdo ditë jemi një hap përpara për t’i dhënë fund pandemisë. Edhe pse epidemia po ulet, ata thonë se nuk ka vend për relaksim.
“Vaksina është arma më e fuqishme në luftën me virusin dhe ajo me siguri do ta ndryshojë pasqyrën. Por, ende është herët ta lëshojmë rojën. Edhe më tutje duhet të mbesim të kujdesshëm dhe të vazhdojmë t’i respektojmë masat. Me siguri do të kalojë edhe një kohë derisa t’u kthehemi jetëve ashtu siç ishin para Kovid-19″, porositi dje në fjalimin e Vitit të Ri, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai falënderoi stafin mjekësor për angazhimin e tyre në luftën kundër Kovid-19 dhe përsëri bëri apel për të kaluar festat në rrethin e të dashurve, pa u grupuar dhe duke i respektuar masat.

Republika e Maqedonisë së Veriut në shkurt i merr dozat e para të vaksinës “Fajzer” kundër virusit, pasi dje pasdite është arritur marrëveshje e drejtpërdrejtë me kompaninë, ndërsa sasia do të dihet në javët në vijim. Dozat e ardhshme të vaksinës “Fajzer” do të mbërrijnë në mars dhe prill.

Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se vazhdojnë me bisedimet për sigurimin e vaksinave edhe përmes negociatave me vendet anëtare të BE-së, si dhe përmes mekanizmit Kovaks, nga ku, siç theksohet, pritet orari dhe data për shpërndarjen e sasive të para.

Gjatë muajit priten edhe frigoriferët për ruajtjen e këtyre vaksinave dhe kështu, siç thuhet, sistemi shëndetësor i Maqedonisë të Veriut do të jetë plotësisht i përgatitur për vaksinimin.

Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 83.329, i pacientëve të shëruar 61.447 dhe i vdekjeve 2.503.