Suedia pret që vitin e ardhshëm vendi të fillojë negociatat anëtarësuese me BE-në. Ambasadorja suedeze, Kristin Forsgren Bengston siguron se për shkak të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia e Veriut do të ketë të ardhme evropiane.
Jam e bindur se marrëveshja do ta definojë të ardhmen tonë të përbashkët dhe se rrjedhimisht hapi i ardhshëm natyral është hapja e negociatave anëtarësuese. Suedia është e angazhuar në diskutimet se si të tejkalohet vendimi i fundit negativ i Këshillit Evropian dhe ta çojmë deri në fund rekomandimin e Komisionit për të iniciuar negociatat anëtarësuese. Shpresojmë që viti i ardhshëm, 2020-ta të jetë vit i progresit në rrugën tonë të përbashkët – tha Kristin Forsgren Bengston, Ambasadore e Suedisë.
Autorët e studimit “Bashkëpunimi në arsim, kulturë dhe shoqëri civile pas Marrëveshjes së Prespës: Si të ecet përpara?” konstatojnë se mos-hapja e negociatave anëtarësuese, zbeh Marrëveshjen e Prespës. Ata gjithsesi i bëjnë thirrje autoriteteve në Shkup e Athinë të ndajnë më shumë fonde për ta zbatuar marrëveshjen dhe për ta rritur bashkëpunimin dypalësh.
Ka një klimë pozitive për bashkëpunim nga të dy palët. Pritet mbështetje më e madhe nga ana e shteteve, si nga njëra ashtu edhe pala tjetër. Ndërsa sa i përket sektorit joqeveritar pritet më shumë azhuritet në krijimin e një klime më të mirë për bashkëpunim -u shpreh Veli Kreci, Analitica.
Bashkëpunimi mund të zhvillohet, ka potencial të madh në sfera si arsimi, por duhet t’i kushtohet vëmendje gjërave të caktuara, duhet të bëhet më aktive mbështetja dhe përfshirja shtetërore dhe të zhvillohet bashkëpunimi institucional, gjë që po mungon tani – deklaroi Jorgos Kristidis, “Eliamep”.
Sipas këtij studimi, deri tani bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Greqisë ka qenë më i mirë në sektorin joqeveritar, në arsim ka qenë kryesisht multi-lateral, ndërsa në kulturë i pakët dhe sporadik. Rekomandohet të thellohet bashkëpunimi mes universiteteve, të hapet një zyrë e të rinjve si ajo mes Francës dhe Gjermanisë, të zhvillohet infrastruktura përmes Fondeve të bashkëpunimit ndër-qeveritar dhe ngjashëm./Alsat