Sindikatat kërkojnë paga më të larta! Punëtorët e Maqedonisë janë më produktivë sesa paguhen

Punëtorët e Maqedonisë janë më produktivë sesa paguhen, tregoi hulumtimi i Qendrës për Analiza Ekonomike dhe i Institutit të Vjenës. Në hulumtimin që përpunon të dhënat ekonomiko-sociale për sa afër apo larg është Maqedonia nga mesatarja e Bashkimit Evropian në tetë parametra, përfshirë ekonominë, shëndetësinë, sigurimet sociale, thuhet se ekziston hapësirë për rritjen e pagës mesatare.

“Çfarë tregon ky hulumtim është se ne aktualisht jemi, bazuar në pagën mesatare, në një të tretën e mesatares evropiane, d.m.th. 33%, dhe nga aspekti i produktivitetit jemi në 50%. Nëse shikojmë vetëm këta dy faktorë, mund të themi se kemi produktivitet më të madh sesa paguhen, te ne pagat duhet të rriten si standard. A ka hapësirë për rritjen e pagave? Po. A duhet të rriten pagat? Po. A duhet të rriten pagat në bazë të produktivitetit? Unë do të thosha jo”, deklaron Viktor Mitevski, Qendra për Analiza Ekonomike

Hulumtimi gjithashtu sugjeron se rritja e pagave duhet të arrihet përmes përdorimit të teknologjisë, digjitalizimit dhe përmirësimit të cilësisë së ekonomisë.

“Nëse kemi parasysh se në Maqedoni 73,3% marrin pagë nën mesataren, atëherë kjo përqindje e raportit të pagës mesatare në Maqedoni dhe pagës mesatare të Bashkimit Evropian do të shkojë shumë më poshtë dhe kjo do të tregojë se punëtorët maqedonas janë shumë më produktivë sesa paguhen. Ajo që ne, si LSM e kemi theksuar kohët e fundit tashmë konfirmohet nga analiza të pavarura, të cilat duhet të dëgjohen nga krijuesit e politikave dhe punëdhënësit dhe më në fund, të hyjnë në spiralen e rritjes së pagave për punëtorët maqedonas”, vlerëson Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë.

Statistikat zyrtare për pagën mesatare tregojnë se në korrik, gusht dhe shtator 2025 ka rritje të vazhdueshme, me një rritje rreth 10% krahasuar me vitin e kaluar. Paga mesatare mujore e paguar në gusht 2025 është rreth 45.310 denarë, ndërsa në korrik 45.276 denarë./TV21