Mbrojtësi veteran Thiago Silva ka refuzuar të bëjë krahasime ndaj Graham Potterit me trajnerët që i ka pasur ndër vite.
Braziliani 38-vjeçar kohët e fundit nënshkroi një rinovim kontrate për 12 muaj me Chelsean duke e mbajtur atë në klub të paktën deri në verën e ardhshme.
Duke folur përpara ndeshjes së parë të raundit të tetës së finales së Ligës së Kampionëve kundër Borussia Dortmund të mërkurën mbrëma (sot), Silva u pyet se si Potter gjendet përballë me ish-trajnerët që ka pasur.
“Nuk ka kaluar kohë e mjaftueshme për të komentuar diçka kaq të rëndësishme. Nuk më pëlqen të bëj krahasime të njerëzve, të stileve, të punës”, deklaroi ai për Parimatch.
“Secili ka mënyrën e vet për t’i bërë gjërat. Megjithatë, në kohën e shkurtër që kam pasur me Potterin, mund të shoh se ai është një person i madh, një qenie njerëzore e shkëlqyer”.
Silva vazhdoi të shpjegojë qasjen veçanërisht praktike të Potterit, sigurisht një ndryshim në stil me atë që ai do të kishte përjetuar nën Ancelottin në Paris Saint-Germain, për shembull.




