Ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë, Augusto Santosh Silva komentoi ngjarjet e fundit rreth përmbajtjes së propozimit portugez për tejkalimin e kontestit midis Shkupit dhe Sofjes dhe shtoi se sekretarja shtetërore e tij ka gabuar.
Augusto Santosh Silva, ministër i Punëve të Jashtme i Portugalisë, për të cilin kjo ishte dita e fundit e kryesimit me BE-në, ai shpjegoi dilemat që dolën në opinion rreth detajeve të propozimit portugez, porositi se ai përmban “gjuhën maqedonase” dhe se deklarata e sekretares shtetërore, Ana Paula Zakarijash, në të cilën ajo shprehet “gjuha maqedonaso veriore” është gabim.
“Nuk mund të prisni nga diplomatë dhe politikanë të jenë ekspertë të linguistikës, nuk e kalojmë çdo sekondë të çdo minute, të çdo ore, çdo dite në përdorimin e termave të saktë nga aspekti shkencor, zëvendësja ime ka menduar për gjuhën maqedonase”, tha Silva.
Ministri më tej shtoi se përmbajtja e propozimit portugez është pranuar nga pala e Maqedonisë dhe mund të pranohet nga pala bullgare.
“Vlerësojmë se propozimin që e shtruam dhe i cili u pranua nga Maqedonia e Veriut dhe mendoj se Bullgaria ka mundësi në të ardhmen e afërt ta pranojë gjithashtu, është shumë i qartë, flasim për gjuhën maqedonase dhe propozojmë se me deklaratën unilaterale të mbështetur nga deklarata e Këshillit të BE-së çdo vend ta definojë pozitën e vet, gjuha maqedonase është gjuhë e definuar në pajtim me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut dhe është kodifikuar në vitin 1945, por nëse dëshironi ta dini pozitën e kryesimit portugez, lexojeni tekstin”, porositi Silva.
Ai vlerëson se nuk i takon BE-së ta bëjë rolin e “policisë gjuhësore” dhe se kjo nuk ndihmon në gjetjen e zgjidhjes.
“Çështja është shumë emocionale dhe duhet të fusim arsyen, mënyra më e mirë për këtë është të shqyrtohet teksti i shkruar”, tha shefi i diplomacisë portugeze.
Ministri shfaqi shpresë se Sllovenia nga një korriku do të ketë mundësi ta realizojë miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për çka Lisbona nuk pati sukses.
“Pas zgjedhjeve në Bullgari ekziston mundësia dhe Sllovenia mund ta shfrytëzojë atë për ta tejkaluar këtë qorrsokak”, tha ministri.
Silva u përqendrua edhe në parimin e vetos në Bashkimin Evropian.
“Fakti që na duhet unanimitet dhe e drejtë për veto gjithashtu do të thotë obligim që vendet të ndërtojnë konsensus, në Portugali do të ishte e papranueshme vendi ta instrumentalizojë veton që të pengohet konsensusi në BE, unë do të kritikohesha për një gjë të tillë, është e paimagjinueshme një vend të vihet në pozitë për ta përdorur të drejtën e vetos për ta penguar formimin e vendimit të Këshillit, unanimiteti është i rëndësishëm për shkak të interesit nacional, duhet ta respektojmë atë, por nuk mund të mendoj në unanimitet pa menduar në obligimin për të kontribuuar ndaj konsensusit”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme i Portugalisë.