Siljanovska Davkova: Në vend që të na mbështesin, fqinjët na vendosin veto për BE

Ajo që Kombet e Bashkuara janë për botën, Bashkimi Evropian është për Evropën – projekt shumëpalësh me një qëllim të lartë – paqe në kontinent. Këtë e arrin përmes zgjerimit në bazë të Kritereve të Kopenhagës – demokraci, sundim të ligjit, të drejta dhe liri të njeriut, dhe ekonomi e tregut, theksoi presidentja Gordana Siljanovska Davkova, duke folur në Samitin Vjetor në Konkordia, i cili po mbahet sot në Nju Jork.

Siç njofton AIM, ajo tha se BE-ja, si mishërim rajonal, evropian i multilaterizmit, ka për detyrë që në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme ta mbrojë multilateralizmin.

“Bashkimi Evropian nuk mund ta mbrojë multilateralizmin në botë nëse e tradhton atë në kontinentin e vet. Zgjerimi nuk është çështje teknike, por test për atë nëse BE-ja do të zgjedhë rrugën concordia ose discordia, nëse do të jetë Union rregullash dhe standardesh, apo Union i standardeve të dyfishta dhe kontradiktave”, tha presidentja.

Ajo theksoi se nëse rajoni i Ballkanit Perëndimor dëshiron të bëhet pjesë e BE-së duhet të mbështesim njëri – tjetrin.

“Nëse rajoni dëshiron të jetë pjesë e BE-së, ne duhet ta mbështesim dhe ta kuptojmë njëri-tjetrin. Si mund të presim të na kuptojë BE-ja nëse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin. Ne duhet ta kuptojmë dhe ta mbështesim njëri-tjetrin, ashtu siç bënë Suedia, Danimarka dhe Norvegjia për vendet baltike. Ato mbështetën absolutisht integrimin e tyre evropian dhe rezultati është i dukshëm. Por, ndryshe nga ata, fqinjët tanë shpesh përdorin veton, ndërsa anëtarësimi kërkon konsensus dhe nëse një vend nuk pajtohet, nuk mund të bëhesh anëtar i BE-së”, tha Siljanovska Davkova.

Sipas saj, është koha e fundit të bëhen ndryshime në BE për mënyrën e vendimmarrjes, ndërsa këtë, siç theksoi, para pak kohësh e tha edhe kryetarja e KE-së, Ursula fon der Lajen. Por, siç nënvizoi, edhe për këtë nevojitet konsensus në BE.

“Kjo krijon problem. Ne mund të bëjmë gjithçka që duhet në ekonomi, reforma,… por megjithatë, bisedimet tona varen nga fqinjët tanë”, tha presidentja.