Në seancën e përbashkët të sotme të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit për Çështje Evropiane, ku u shqyrtua raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e vendit, presidetja Gordana Siljanovska-Davkova theksoi se për të 16-ën herë, ky raport, si edhe raportet e mëparshme, nuk flet vetëm për të vlerësuarin, por edhe për vlerësuesin. Ajo theksoi se BE-ja nuk kishte strategji të qartë, ishte vonë në Ballkan, SHBA-të ndonjëherë ishin më të shpejta, nuk ishin konsistente në asociimin paqësor, “dhe madje edhe sot preferojnë standarde të dyfishta”, transmeton Portalb.mk.
“Raporti ka shumë të dhëna dhe kritika të mira, të cilat duhet të analizohen mirë dhe të veprohet mbi to, por gjithashtu ndonjëherë vlerësimet e Bashkimit Evropian në këto 16 raporte në formulim udhëhiqen gjithmonë nga ndonjë qëllim kyç, i cili është ajo që është më e rëndësishme për BE-në në këtë moment dhe me këtë ata e lidhin momentumin. E njëjta gjë vlen edhe për këtë raport. Pas 16 herësh, ky raport, ashtu si ato të mëparshmet, nuk flet vetëm për të vlerësuarin, por edhe për vlerësuesin. Nëse ka një vlerësim ose një garë për gatishmëri politike, atëherë do të jemi kampionë në zbatim, i shohim rezultatet”, theksoi presidentja.
Sipas saj, tani nuk është koha për reforma.
“Kjo nuk është koha për reforma, për fat të keq, sepse koha i ngjan një kohe gjatë një lufte, ose para një lufte, dhe nuk është një kohë kur mund të bëhen reforma. Por për mua, si më herët ashtu edhe tani BE-ja është një filozofi politike unike, mbështetet nga të gjithë aktorët, publiku në Ballkan, BE-ja është një perspektivë, BE-ja është një motiv për reforma demokratike, Unioni stimulon reformat që çojnë në paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. Jam e sigurt se integrimi ynë në BE do t’i japë fund fenomenit të ballkanizimit si një fenomen i kufijve që ndryshojnë vazhdimisht”, tha Siljanovska-Davkova.
Ajo vuri në dukje se BE-ja ndonjëherë duket se është e fiksuar pas momenteve dhe datave të rëndësishme dhe tani dëgjojmë se ky është momenti kyç, duhet të hipim përsëri në tren.
“Po, ky është një moment i rëndësishëm, pse? Sepse përballemi me diçka që është në kundërshtim me idenë themelore të BE-së – BE-ja është një projekt paqeje ndërsa po ndodh një luftë. Dhe tani po flasim për rezistencë ndaj ndikimeve të treta, po, duhet të jemi rezistentë, por do të jemi më rezistentë nëse jemi brenda BE-së. Ajo që mendoj se nuk duhet harruar janë kriteret e veçanta për ne. Pse e kemi vrapuar këtë maratonë me pengesa për kaq kohë, pse përveç kritereve të Kopenhagenit, kemi marrë edhe kritere shtesë, por kemi hyrë edhe në procesin e Stabilizim-Asociimit. Kur flas për formulime të çuditshme se reformat japin rezultate dhe se disa vende kanë bërë hapa të mëdhenj në reforma në një vit, dy, tre, nuk mund ta pranoj këtë. Reformat janë një proces. Nëse ne, që kemi hyrë në procesin e Stabilizim-Asociimit, ende nuk kemi arritur në pikën e reformimit, atëherë kjo flet për diçka tjetër, flet për një filozofi të karrotës dhe shkopit, për menaxhim terapeutik, për sovranitet të drejtuar”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Sipas saj, të gjitha vlerësimet nuk mund të abstraktohen nga një kërkesë themelore, që është kërkesa për ndryshime kushtetuese.
“Dhe kur vlerësoj këtë moment, nuk mund të nisem vetëm nga ky përfundim se ky vit është më i rëndësishmi, por më shpesh raporti është për një periudhë trevjeçare. Raporti thotë se nuk ka përparim ose se ka përparim të kufizuar ose se nevojiten reforma. Së pari duhet të heqim dorë nga formulimi nëse ka apo jo vullnet politik. Vullneti politik është një proces, ai formohet në bazë të analizës, në bazë të një krahasimi të pro dhe kundër, dhe vullneti politik nuk mund të jetë vetëm diçka që shkon përgjatë vijave të asaj që parashikohet”, tha presidentja.
Duke komentuar raportin, ajo iu referua posaçërisht kërkesës për ndryshime kushtetuese.
“Mund ta shihni raportin e Komisionit të Venedikut për ligjin për përdorimin e gjuhëve, se zgjidhjet e këtij ligji janë mbi zgjidhjet evropiane. Po flas për çështjet e pakicave. Mendimi i Komisionit të Venedikut për Kushtetutën e Bullgarisë këtu kërkon që Bullgaria të “mbrojë të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare në nivelin e Kushtetutës”. Sa vende në Evropë kanë dispozita për mbrojtjen e të drejtave të pakicave? Shumë pak, madje edhe mbiemri “propozim francez” nuk e di nëse është i përshtatshëm sepse Franca ka një demokraci jashtëzakonisht të zhvilluar, por nuk e ka nënshkruar Konventën Kornizë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave, kështu që ky mbiemër është pezull”, theksoi Siljanovska-Davkova.
Presidentja vlerësoi se kërkesa për ndryshime kushtetuese nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet themelore të BE-së, domethënë me Nenin 4 të Traktatit për BE-në dhe Traktatin e Lisbonës, të cilat thonë se strukturat kushtetuese do të respektohen.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.




