“Është koha të ndjekim shembujt frymëzues të vendeve në të cilat alpinizmi rekreativ jo vetëm që është i integruar në programin e Arsimit Fizik në të gjitha institucionet dhe nivelet arsimore, por praktikohet gjerësisht edhe si element i filozofisë së jetesës së shëndetshme. Le t’i ndihmojmë Ministrisë së Sportit dhe Ministrisë së Arsimit në promovimin e alpinizmit rekreativ dhe në popullarizimin e tij. Le t’i kushtojmë më shumë vëmendje lëndës së Arsimit Fizik në të gjitha nivelet e arsimit dhe të përfshijmë ngjitjen malore në të, sepse mbi pothuajse çdo vendbanim tonë ka nga një, jo rastësisht. Le të ndërtojmë, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale, infrastrukturë të përshtatshme, shtëpiza malore, vila, vende vrojtimi, por edhe kapacitete më të mëdha akomodimi, vendpushime, hostele, hotele. E di që kemi kapacitete dhe mundësi modeste, por mund të fillojmë duke rinovuar shtëpizat malore, dhe pastaj duke ndërtuar të reja. Jam e vetëdijshme se këto janë investime të mëdha, por me fitime dhe përfitime të sigurta të pritura për të gjithë qytetarët. Nuk kemi nevojë për shembuj botërorë nga larg, mjafton të shohim dhe të ndjekim shembujt nga fqinjësia në lidhje me qëndrimin ndaj maleve dhe natyrës, ndaj alpinizmit dhe sporteve”, tha presidentja Gordana Siljanovska-Davkova me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Klubit të Alpinizmit “Luboten”.
Siljanovska – Davkova theksoi se kemi detyrim të veçantë ta mbrojmë pasurinë malore me të cilën, tha, jemi të bekuar. Jemi të detyruar, theksoi presidentja, t’i ruajmë llojet e rralla të rrezikuara të drunjve, kafshëve, bimëve, zogjve, insekteve, ndërsa natyra do të na e kthejë me ajër të pastër dhe të freskët, do të na mbrojë nga vërshimet, do të na mjekojë dhe do të na ushqejë.
“Le ta afirmojmë filozofinë e një jete të shëndetshme. Le ta bëjmë alpinizmin një kult tek të rinjtë. Në vend të makinave dhe alkoolit, le t’i motivojmë dhe t’i drejtojmë drejt aktivitetit fizik dhe sportiv në male. Le ta popullarizojmë alpinizmin rekreativ”, theksoi Siljanovska-Davkova.




