Sikorski: Evropa e meriton një ulëse në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, ka thënë se Evropa meriton ta ketë një ulëse në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ai, gjatë fjalimit në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, ka thënë se evropianët janë ata që paguajnë për këtë luftë ndërsa shpenzimet e amerikanëve për të, gjatë vitit të fundit, janë pothuajse zero.

Me këtë qëndrim është pajtuar edhe ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili ka theksuar se megjithëqë Evropa po e paguan çmimin, presidenti rus, Vladimir Putin, refuzon të negociojë me evropianët ndërsa këtë e lejojnë amerikanët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmjetësuar disa raunde negociatash mes Rusisë e Ukrainës ndërsa këtë angazhim do ta bëjnë edhe në bisedimet e ardhshme që palët do t’i mbajnë javën e ardhshme në Gjenevë.

Këto bisedime do të zhvillohen në sfondin e sulmeve të vazhdueshme të Rusisë, kryesisht ndaj caqeve të infrastrukturës energjetike të Ukrainës.