Lumir Abdixhiku i ka mbijetuar mbrëmë Kuvendit të jashtëzakonshëm që u thirr nga një pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e tij. Menjëherë pasi doli triumfues në këtë betejë, hapi i radhës i ndërmarrë ishte marrja e disa vendimeve në Kuvend që u dukën si një përpjekje për të kthyer disiplinën në parti ose si masa ndaj atyre që iniciuan shkarkimin e Abdixhikut.Një ndër vendimet ishte edhe kthimi i Vjosa Osmanit në LDK. Ky veprim nuk u bë duke e përmendur enkas emrin e Vjosa Osmanit, por duke kooptuar Këshillin e Përgjithshëm në Kuvendin e LDK’së , ku tash e tutje do të jetë pjesë edhe Grupi Parlamentar i LDK’së, pjesë e të cilit është edhe Vjosa Osmani.
Në këtë mënyrë, ish-Presidentja me natën e mbrëmshme u rikthye edhe zyrtarisht në LDK pas gjashtë vitesh.‘Kuvendi i LDK-së, koopton Këshillin e Përgjithshëm, si organ vartës të tij, me anëtarë të rinj, me të drejta të plota, të gjithë deputetët e zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës nga zgjedhjet e 7 qershorit”.
Osmani pasi s’kishte gjetur gjuhën e përbashkët me Kurtin për t’i rikandiduar për Presidente , garoi me LDK’në si bartëse e listës në zgjedhjet parlamentare.Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e kishte zyrtarizuar më 9 maj marrëveshjen për garim të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit me ish -Presidenten Vjosa Osmanit gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
LDK-ja e kishte mbështetur propozimin e Abdixhikut që Osmani të jetë bartëse e listës zgjedhore dhe kandidatja për presidente. Vetë Abdixhiku ishte kandidat për kryeministër.Abdixhiku kishte njoftuar se vendimi ishte marrë unanimisht në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, duke shtuar se në listën zgjedhore të partisë do të përfshiheshin edhe 19 emra të tjerë të propozuar nga Osmani.
Të enjtën mbrëma, lajmit që Abdixhiku mbeti në krye të partisë iu gëzua Osmani, e cila qysh në minutat e parë mbrëmë pasi u kuptua vota e delegatëve reagoi në Facebook duke publikuar një fotografi me Abdixhikun.“Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!”, shkroi ajo krahas saj.
Në vitin 2020, Këshilli i Përgjithshëm i LDK’së, që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa, e kishte shkarkuar Osmanin nga të gjitha funksionet partiake. Atë kohë Osmani ishte nënkryetare e partisë dhe njëherësh kryetare e Parlamentit të Kosovës.Pas kësaj, Osmani kishte krijuar një listë të saj për t’i hyrë garës bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje ku njësoj si në zgjedhjet e qershorit, kandidoi për presidente.
Kosovë-Shqipëri Si u zyrtarizua mbrëmë rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK



