Si u zbulua i riu me tre emra që ekzekutoi shokun, çfarë u bë shkak për ngjarjen

Policia e Tiranës deklaroi dje se ka arritur të dokumentojë me prova ligjore vrasjen e 28-vjeçarit Vilson Tafçiu, në zonën e “Astirit”, madje ka shpallur në kërkim si të dyshuar shokun e tij.

Bëhet fjalë për një 29-vjeçar nga Dibra, që ka përdorur tri identitete të ndryshme dhe kishte qëndruar bashkë me viktimën në Francë e në Belgjikë, derisa Tafçiu u arrestua e më pas u deportua në Shqipëri. Policia thotë se nga hetimet e deritanishme, vrasja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri të çastit mes viktimës dhe autorit të dyshuar.

Dy ditë më parë, burime nga grupi hetimor thanë se i dyshuari është shtetasi Noel Dishi, i cili ka njohje me viktimën. Identifikimi i tij si i dyshuar është bërë nga deklarimet e dëshmitarëve, por edhe këqyrja e kamerave të sigurisë, që po ashtu kanë fiksuar edhe një automjet që është larguar me shpejtësi nga vendngjarja, menjëherë pas vrasjes. Të njëjtat burime thanë se është ushtruar kontroll në banesën e këtij personi, por ai nuk është gjetur aty, gjë që ka shtuar edhe më shumë dyshimet e Policisë për përfshirjen e tij në krim.

“Si rezultat i punës profesionale, reagimit të menjëhershëm të strukturave të Policisë dhe bërjes së një sërë veprimeve proaktive, grupi i posaçëm hetimor ka mundur të dokumentojë me prova ligjore ngjarjen e ndodhur në orët e mbrëmjes së datës 20 janar 2020, në “Astir”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 29-vjeçari V. T. Bazuar në veprimet e kryera dhe provat e grumbulluara, rezulton se si pasojë e një konflikti të çastit, shtetasi N. D., alias N. K., alias M. P., 29 vjeç, në orën 20:30 të mbrëmjes së datës 20 janar, në rrugën ‘Dhaskal Todri’, në Unazën e Re, ka qëlluar disa herë me armë zjarri, duke vrarë shtetasin V. T.”, tha zyrtarisht Policia.

HETIMI

Grupi hetimor ka dyshime se vrasja e të riut nga Dibra mund të ketë ndodhur për shkak të prishjes së ndonjë pazari nga shitja e lëndëve narkotike, aktivitet për të cilin ai ishte dënuar në Francë, por që ka dyshime se mund ta ketë vazhduar edhe pas deportimit në Shqipëri. Rreth orës 20:45 të së hënës, Vilson Tafçiu ka qenë duke pirë kafe me dy vajza në një prej lokaleve më të frekuentuara në zonën e “Astirit”, në Unazën e Re, në Tiranë. Në atë kohë, brenda lokalit është futur një person, i cili është drejtuar te tavolina dhe i ka kërkuar 28- vjeçarit që të dilte për pak sekonda jashtë me të, pasi do të sqaronte diçka. Të paktën siç kanë deklaruar dy vajzat që e kanë parë personin e dyshuar, nga mënyra se si kanë komunikuar dy të rinjtë, dukej që kishte një njohje të mëparshme mes tyre.

Tafçiu është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë bashkë me personin që e kërkoi. Të dy kanë kaluar në anë të lokalit, pranë një rrugice dhe brenda pak sekondash, ai është qëlluar me armë zjarri. Nga verifikimet e kryera në sistem, 28-vjeçari rezulton të jetë deportuar nga autoritetet franceze më 6 nëntor të vitit 2018.

Sipas të dhënave që ka verifikuar grupi hetimor, Vilson Tafçiu rezulton të jetë larguar nga Shqipëria më 7 mars të vitit 2018 dhe ka qëndruar në Francë. Atje është arrestuar disa ditë më pas, konkretisht më 12 mars 2018, pasi u kap duke shpërndarë lëndë narkotike. Drejtësia franceze e ka dënuar me një vit heqje lirie, por pasi ka qëndruar 8 muaj në paraburgim, është vendosur që të deportohet në Shqipëri.