Protestat kundër pushtetit klerikal të Iranit po përhapen me shpejtësi, duke përfshirë qytete e qyteza të reja, grupe shoqërore dhe simbole. Aktivistët po i përshkruajnë ato si një fazë të në ballafaqimin me autoritetet.
Ato që nisën si demonstrata të përhapura kundër rritjes së shpejtë të inflacionit dhe kolapsit të monedhës kombëtare më 28 dhjetor, tani janë të dukshme në rrugë dhe në pazare të mbyllura në mbarë vendin me rreth 92 milionë banorë.
Protestat më 8 janar ishin më të mëdhat e mbajtura deri më tani, që kur filloi pakënaqësia për çështjet ekonomike.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut në Iran, me seli në Norvegji, të paktën 45 protestues janë vrarë, përfshirë tetë fëmijë, që kur kanë nisur protestat e deri më 7 janar.
Këto protesta sjellin ndër mend Revolucionin Islamik të vitit 1979.
Gjatë një interviste televizive për Fox News, presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nëse ka lexuar lajme se ajatollah Ali Khamenein ka alternativë që të shkojë në Rusi.
“Po, ose diku tjetër. Ai po shikon që të ikë diku. Regjimi iranian mund të jetë buzë kolapsit dhe nëse qëllon protestuesit, Amerika do t’i godasë”, tha ai.
Gjatë dy ditëve të fundit, protestat janë përhapur në më shumë pjesë të kryeqytetit Teheran dhe në qytetin verilindor Mashhad, qyteti i dytë më i madh i vendit, si edhe në një numër gjithnjë e më të madh qendrash provinciale dhe qytetesh të vogla, përfshirë Abadanin në jugperëndim dhe Borujenin në Iranin qendror.
Një nga protestat më të mëdha u zhvillua në qytetin perëndimor Abdanan, ku rruga kryesore u mbush me demonstrues më 7 janar. Qytetet në Iranin perëndimor, ku jetojnë pakica etnike, kanë qenë skena e disa prej protestave më të mëdha dhe e shtypjeve më të ashpra nga ana e Qeverisë.
Krahas protestave në rrugë, tregtarët në një numër gjithnjë e në rritje pazaresh – qendra kryesore të tregtisë në Iran – kanë mbyllur dyqanet dhe kanë hyrë në grevë në shenjë solidariteti me protestuesit.
Shumë iranianë i kanë krahasuar në mënyrë të drejtpërdrejtë këto skena me grevat vendimtare të tregut që ndihmuan në rrëzimin e shahut të Iranit në vitin 1979.
Organizata që monitoron internetin, NetBlocks, raportoi më 9 janar se në Iran nuk ka pasur internet për 12 orë, teksa autoritetet në Republikën Islamike kanë kufizuar qasjen në internet në përpjekje për të ndalur trazirat.
“Qasja në internet në nivel vendi është 1 për qind, pasi autoritetet vendosën ndalesë kombëtare në përpjekje për të shtypur protestat dhe për të fshehur raportimet për brutalitetin e regjimit”, tha ky grup monitorues ndërkombëtar përmes një postimi në X.
Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se Irani ka ndalur qasjen në internet për iranianët për të “heshtur” zërat e tyre.
“Populli i Iranit. Bota ende ju dëgjon dhe ju sheh”, u tha në një postim në X në një faqe të lidhur me Departamentin e Shtetit.
Rënia e madhe ekonomike shkakton zemërim
Shkaktar i protestave ishte përkeqësimi i krizës ekonomike në Iran. Rënia e madhe e vlerës së rialit, monedhës kombëtare, është përkthyer në atë që njerëzit e përshkruajnë si rritje çmimesh nga ora në orë për produkte bazë si vezët dhe vaji për gatim, duke forcuar perceptimin se vendi është në prag të kolapsit.
Derisa trazirat janë rritur, janë shtuar edhe përleshjet më të shpeshta dhe gjithnjë e më të dhunshme në qytete, ku forcat e sigurisë kanë përdorur shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe municion të vërtetë.
Duke folur për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL) më 8 janar, një protestues në qytetin perëndimor Qorveh tha se rrugët e qytetit me rreth 87.000 banorë janë “të mbushura me forca sigurie”.
Protestuesi, i cili foli në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes, tha se forcat e sigurisë nuk kanë qenë në gjendje t’i ndalojnë protestat për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve.
Simbolet, grevat dhe rreziku i përshkallëzimit
Në disa qytete, përfshirë Kermanin në juglindje dhe Kashanin në Iranin qendror, demonstruesit kanë rrëzuar ose dëmtuar statujat e Qassem Soleimanit, gjeneralit më të lartë iranian që u vra në një sulm ajror amerikan në vitin 2020.
Këto veprime sinjalizojnë një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej martirëve qendrorë të sistemit klerikal.
Protestuesit në Mashhad e hoqën dhe e grisën flamurin kombëtar më 7 janar. Flamuri i tanishëm kombëtar i Iranit u miratua pas vitit 1979, dhe kritikët e Republikës Islamike i referohen atij si flamuri i regjimit, jo i vendit.
Ankthi është i dukshëm në rrugët në mbarë Iranin dhe është përhapur edhe në grupet familjare në WhatsApp dhe Telegram, ku debatet mbi “çfarë ndodh më pas” dhe kë të mbështesësh janë shndërruar në një ritual të përditshëm, shpesh të nxehtë.
Çështjet e udhëheqjes, strategjisë dhe alternativave nuk kufizohen më vetëm në kanalet e aktivistëve, por kanë hyrë në bisedat e përditshme mes të afërmve dhe kolegëve.
Ky debat ashpërsohet nga mesazhet e hapura ndërkombëtare. Llogaria në gjuhën persiane e Departamentit amerikan të Shtetit ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetje për demonstruesit.
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me ndërhyrje nëse vazhdon shtypja e dhunshme nga Qeveria.
Derisa demonstratat hynë në ditën e dymbëdhjetë më 8 janar, përdoruesit e rrjeteve sociale në qytete të mëdha si Teherani, Karaji, Isfahani, Shirazi, Mashhadi dhe Tabrizi raportuan për rrjet të dobët interneti.
Ekspertët kanë vërejtur një rënie të ndjeshme të shpejtësisë së internetit.
Amir Rashidi, kryetar për të drejtat digjitale dhe sigurinë në grupin Miaan me bazë në SHBA, i tha Radios Farda se autoritetet po përgatiten ta ndalin internetin plotësisht.
Kufizimi i rrjetit të internetit përkon me thirrje të reja nga grupet opozitare për greva mbarëkombëtare dhe protesta në rrugë më 8 dhe 9 janar, duke rritur mundësinë që protestat – tashmë sfida më serioze me të cilën është përballur Republika Islamike prej vitesh – të përhapen edhe më tej./REL




