Ligji për të huajt dhe ai për automjete nisën të zbatohen në Kosovë më 15 mars, por qytetarët të cilët preken prej tyre duket se kanë ende plot paqartësi.
Qëndrim Bytyqi, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se rregulli për të huajt për qëndrim deri në 90 ditë në Kosovë, në periudhën prej 180 ditësh, nuk vlen për personat që kanë shtetësi të huaj si dhe shtetësi të Kosovës.
Bytyqi tha se serbët që punojnë në institucione shëndetësore apo arsimore të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, dhe posedojnë dokumente të strukturave paralele, detyrohen të aplikojnë për leje qëndrimi me afat prej 12 muajsh.
“E gjitha kjo është bërë për të siguruar se shërbimet shëndetësore dhe arsimore do të vazhdojnë”, tha ai.
Pasi të skadojë afati 12-mujor, Bytyqi tregoi se do të vazhdojnë procedurat e tjera të integrimit të tyre në sistemin shtetëror të Kosovës.
Sipas tij, deri më tani, kryetarët e komunave me shumicë serbe ende nuk u kanë dërguar autoriteteve të Kosovës lista të stafit akademik dhe shëndetësor që punojnë në strukturat paralele, në mënyrë që atyre t’u jepen lejet e qëndrimit për një vit.
Ligji për të huajt parasheh edhe licencim paraprak për profesione të caktuara kur të huajt aplikojnë për leje të punës në Kosovë.
Për shembull, punëtorët shëndetësorë duhet të marrin licencë në Ministrinë e Shëndetësisë për ta ushtruar këtë profesion në Kosovë.
Mirëpo, ende nuk është e qartë nëse diçka e tillë do t’iu kërkohet edhe serbëve që punojnë në institucionet shëndetësore të strukturave paralele.
“Kjo do të mbetet për t’u sqaruar pasi t’i marrim aplikimet, por ne i sigurojmë se do t’iu ofrojmë një leje qëndrimi për 12 muaj, me qëllimin që të vazhdojnë shërbimet në shëndetësi dhe në arsim”, tha Bytyqi për REL-in.
Ai paralajmëroi se do të ketë masa lehtësuese të përkohshme në këtë drejtim përderisa të rregullohet licencimi dhe integrimi i serbëve në sistemin shtetëror të Kosovës.
Sa i përket mundësisë që serbët t’i regjistrojnë faktet civile duke përdorur kartën e identitetit të lëshuar nga strukturat paralele, ai nuk pranoi të komentojë nëse kjo përbën legalizim ose njohje të strukturave paralele serbe nga Kosova.
Sipas tij, në praktikë kjo u mundëson serbëve t’i regjistrojnë ngjarjet si lindjet, vdekjet apo martesat që kanë ndodhur në territorin e Republikës së Kosovës, të cilat deri më tani janë regjistruar vetëm në strukturat paralele.
“Deri më 16 qershor 2026 do të regjistrohen këto fakte që kanë ndodhur në Republikën e Kosovës, ndërsa sa i përket letërnjoftimit të lëshuar nga strukturat paralele ai do të përdoret për leje qëndrimi për ata persona që jetojnë që një kohë të gjatë në Kosovë, por s’kanë dokumente të Kosovës.”
Mes tjerash, Bytyqi tregoi se nuk do të ekzistojë asnjë lloj diskriminimi për shqiptarët e Luginës së Preshevës nga Ligji për të huajt, sepse ai nuk parasheh dallime etnike.
Sipas tij të gjithë personat që jetojnë në Kosovë e nuk kanë shtetësi të Kosovës duhet të pajisen me leje qëndrimi në mënyrë që të mund të punojnë në institucione, qoftë publike apo private.
Gjobat
Në rast të shkeljes së Ligjit për të huajt, parashihen dënime me gjoba prej 100 deri në 300 euro, varësisht nga shkeljet, duke mos u përjashtuar masat ndëshkuese më të rënda sikurse vendimi për largim vullnetar nga Kosova, vendimi për largim me forcë apo ndalesa e hyrjes në Kosovë nga një muaj deri në pesë vjet.
Sa i përket Ligjit për automjete, Qëndrim Bytyqi sqaroi se veturat me targa të huaja nuk mund të qëndrojnë brenda territorit të Kosovës më shumë se tre muaj.
“Pas kalimit të afatit prej tre muajsh, vetura duhet të largohet nga territori i Kosovës, por Ligji nuk e parandalon që vetura të hyjë përsëri në Kosovë”, tha ai duke përmendur se këtu përfshihen pastaj edhe obligime doganore që përcaktojnë afate sa mund të qëndrojë një veturë në Kosovë pa i kryer kontrollet teknike në shtetin prej nga vjen.
Sipas tij, ky rregull përfshin edhe rastet kur mërgimtarët e kanë një veturë në Kosovë që e përdorin në kohën e vizitave.
“Në momentin që një veturë është në Kosovë për një periudhë më të gjatë se tre muaj dhe haset nga Policia e Kosovës, bëhen verifikimet e hyrjes së veturës në kufi dhe nëse konstatohet se vetura ka qëndruar më shumë se tre muaj, Ligji për automjete parasheh gjobë për shoferin dhe parasheh që vetura duhet të dalë nga territori i Kosovës”.
Gjoba në këtë rast parashihet të jetë deri në 200 euro për vozitësin.
Sipas tij, një veturë me targa të huaja nuk mund të vozitet nga persona që kanë vetëm shtetësinë e Kosovës, por vetëm nga pronari i cili e ka shtetësinë e atij vendi nga vjen vetura.
Bytyqi ka treguar se përjashtimet e vetme kur vetura me targa të huaja mund të vozitet nga një kosovar që nuk ka shtetësi apo leje qëndrimi në shtetin prej nga vjen vetura është kur në veturë me të është i pranishëm edhe pronari i saj, apo kur edhe ai kosovar ka lejeqëndrim apo shtetësi të dytë në atë shtet prej nga vjen vetura me një autorizim të lëshuar nga po ai shtet, jo me autorizim të bërë në Kosovë.
Sa u përket mërgimtarëve nga Zvicra që vozisin një veturë atje dhe një tjetër në Kosovë me një palë targa, pasi këtë e mundëson shteti zviceran, Bytyqi tha se vlen njësoj afati 3-mujor i qëndrimit maksimal të asaj veture në Kosovë, pavarësisht se mund të vozitet me targat e njëjta./REL




