Shkruan: Sefer TAHIRI
Bashkimi Demokratik për Integrim, si trashëgimtare politike e ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që nga viti 2002 ka dëshmuar se është parti institucionaliste, konstruktive. Kjo, natyrisht, i atribuohet faktit që nga ushtri u bë parti. Ngjashëm siç ishte Partia e Prosperitetit Demokratik nga viti ’90 deri në vitin 1998, e cila, njësoj si Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte ekskluzivisht vetëm për veprim në rrugë institucionale, e njohur si politikë “hap pas hapi”.
Në shikim të parë, kur thuhet, me siguri duket e çuditshme, por është realitet: Qeveria e sotme e zgjeruar e Mickoskit dhe VLEN-it nuk do të mund të votohej pa votat e deputetëve të BDI-së dhe disa të Frontit Evropian. Votat e tyre ishin çelës për votimin e Ligjit për riorganizimin e organeve të administratës, më 8 qershor të vitit 2024, i cili u miratua me 2/3, apo 80 vota të deputetëve. Votimi u bë në orën 2:30 të natës. Punë e natës, gaz i ditës!
Ligji nuk mori votat e deputetëve të Aleancës për Shqiptarët së Ziadin Selës, të cilët as nuk morën pjesë në seancë. Kjo ishte çarja e parë dhe, pas këtij votimi, Fronti “shpërtheu”. Sela e lëshoi Frontin e Ahmetit. Pas tij, edhe Menduh Thaçi dhe deputeti me përkatësi etnike turke, Bejxhan Iljaz, i thanë lamtumirë Ahmetit. Lideri i BDI-së, i cili vazhdon të jetë në Front me Taravarin, Zejdin dhe Arijanit Hoxhën, i cili ka qenë zëvendëskryetar i Lëvizjes BESA dhe tashmë, si një prurje e re për përforcimin e BDI-së, është zgjedhur nënkryetar i saj. Duhet shtuar edhe përforcimi me Xhelil Bajramin, këshilltar i ri i z. Ahmeti, i cili për liderin e BDI-së kishte thënë se “ka hipoteka tek maqedonasit”. Më parë kishte qenë në PPD, e më pas ministër i Ekologjisë nga PDSH-ja.
Ahmeti, përkatësisht BDI-ja, edhe pse akuzonin VMRO-DPMNE-në se nuk respektoi legjitimitetin demokratik të shqiptarëve, pasi përfshiu VLEN-in në qeveri, në këmbim të mbështetjes për zgjerimin e qeverisë sipas projeksionit të Mickoskit, u dakordua për formimin e Komisionit parlamentar për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. BDI-ja, për një ligj, fitoi një komision! Ky komision, gjoja, një herë në gjashtë muaj do t’i raportonte Kuvendit se si zbatohet parimi kushtetues për përfaqësim.
Shumë pyetje, jo vetëm në media, por edhe në opinionin publik, atëherë u bënë se pse BDI-ja, si parti opozitare, e mbështeti ligjin, i cili e zgjeron qeverinë, edhe pse varfëria është në rritje? A ka pasur ndonjë marrëveshje tjetër të fshehtë Ahmeti–Mickoski? Apo integristët vërtet besuan se komisioni i ri, në krye me ish-kryeministrin dhe ish-kryekuvendarin Talat Xhaferi, nuk do të lejojë keqpërdorimin etnik të përfaqësimit, që në vend të shqiptarëve të punësohen pjesëtarë të komuniteteve të tjera? Një parti që 20 vite ka qëndruar në pushtet nuk mund të jetë aq naive.
Ndodhi pikërisht ashtu siç ka thënë, apo siç rrëfehet të ketë thënë, dikur ish-kryeministri britanik Uinston Çerçill se “nëse nuk do ta zgjidhësh një problem, atëherë formo për të një komision punues”! Komisioni doli të jetë justifikim për mbështetjen parlamentare dhe, nga ai, ashtu siç pritej, doli një asgjë e madhe.
Pas miratimit të ligjit, para se qeveria të përmbushë 100 ditë, Mickoski dhe Ahmeti ishin dakorduar që, së bashku me zgjedhjet lokale në tetor të vitit 2025, të mbahen edhe ato parlamentare. Doli që Ahmeti ishte mashtruar nga lideri i VMRO-DPMNE-së, me siguri si hakmarrje për mosrespektimin e ndonjë dakordimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, i arritur mes tij dhe eksponentëve të lartë të BDI-së në të kaluarën, kur integristët qeverisnin së bashku me socialdemokratët.
Me ligj u bë zgjerimi i ministrive nga 16 në 20. Ministria e Jashtme u bë plus edhe e Tregtisë së Jashtme; Ministria e Ekonomisë u bë plus e Punës, duke u zhveshur nga kompetencat dhe duke u lënë vetëm organ i pastër administrativ i fushës së ekonomisë. Me formimin e Ministrisë së Energjetikës, asaj të Ekonomisë iu hoqën turizmi, energjia, minierat dhe burimet minerale. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale u transformua në Ministri të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë; Ministria e Kulturës u bë plus edhe e Turizmit; ajo e Shoqërisë Informatike dhe Administratës u bë e Transformimit Digjital dhe Agjencia e Rinisë dhe Sportit u shfuqizua, duke u shndërruar në Ministri të Sportit.
Koalicioni VLEN, megjithë faktin që qeveria u bë me 20 ministri, mori shumë më pak se sa BDI-ja kur ishte në pushtet me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë në vitet 2017–2024, që është rezultat i faktit që VMRO-DPMNE-ja fitoi 58 deputetë, ndërsa LSDM-ja, pa votat e BDI-së, nuk mund ta formonte qeverinë.
VLEN e ka përmendur disa herë faktin që BDI-ja, përmes Blerim Bexhetit, por edhe Menduh Thaçit dhe Elmi Azirit, kishte negociuar me VMRO-DPMNE-në në zyrën 161 të Kuvendit, duke kërkuar të hyjë në qeveri edhe pa e marrë kryetarin e Kuvendit. Por ky koalicion asnjëherë nuk ka përmendur që BDI-ja i ka dhënë mbështetje projekteve të qeverisë, duke u sjellë si parti jobllokuese e sistemit politik.
Herën e dytë që BDI-ja mbështeti koalicionin VMRO–VLEN ishte miratimi i ndryshimeve në Ligjin e vetëadministrimit lokal, më 24 shtator të vitit 2025, me të cilat tri komuna, ajo e Sarajit, Gostivarit dhe Aerodromit, nuk shkuan në zgjedhje të parakohshme, por u menaxhuan nga ushtrues detyre deri në zgjedhjet e rregullta lokale në tetor të vitit të kaluar. Kjo ndodhi pasi Timço Mucunski dhe Arben Taravari u bënë ministra, ndërsa Blerim Bexheti u bë deputet. BDI-ja siguroi 2/3 e votave dhe shumicën e Badenterit. Votimi i këtij ligji u bë ditën. Mjafton kaq për të shpjeguar arsyeshmërinë e këtij ligji.
Loja e ping-pongut mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së vazhdoi. Më 14 janar të vitit 2026, Ahmeti shkoi në takimin e liderëve, të konvokuar nga kryeministri Hristijan Mickoski, edhe pse më herët në historinë pluraliste takimet e liderëve i konvokonte presidenti. Ahmeti e futi në sirtarin e harresës fjalimin parazgjedhor se “Populli im thotë: gur mbi gur bëhet kalaja, fjalë pas fjale nis belaja, mos nis bela!” dhe u ul në tavolinë me Mickoskin e Kasamin.
Ky takim është arsyetuar nga integristi i parë me argumentin e paqenë se, gjoja, kreu vmro-ist do të pranojë të bisedojë për përmbylljen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, votimin e qeverisë me Badenter dhe zbatimin e decentralizimit funksional fiskal. U tha se këto çështje të rëndësishme për statusin e shqiptarëve do të diskutohen kokë më kokë mes Mickoskit dhe Ahmetit. Nga kjo doli një hiçgjë.
Pas më shumë se një muaji pas takimit të liderëve, më 23 shkurt, ish-zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, pas arratisjes 14-mujore, u dorëzua në pikën kufitare Bllacë. BDI-ja mohoi se rikthimi i Grubit është pjesë e marrëveshjes politike mes kryeministrit dhe kryeintegristit. Mickoski, madje, deklarativisht ishte bindës, duke thënë: “Nuk ka logjikë që të bëj marrëveshje me ata që duan të shohin fundin tim politik, e disa prej tyre edhe njerëzor”. Mickoski e akuzoi Grubin se ka qenë njëri nga kundërshtarët e tij më të ashpër politik dhe se është organizatori i xhirimit me dron mbi shtëpinë e motrës së tij, gjoja për ta prezantuar se është pronë e kryeministrit. Ajo që nuk është për t’u besuar është deklarimi i kryeministrit lidhur me Grubin se “gjithçka më tej është vendim i një pushteti tjetër – pushtetit gjyqësor. Kjo nuk ka lidhje me Qeverinë”. E themi këtë pasi, në 35 vite, gjyqësori në shumë raste ka qenë i lidhur në masë të madhe vetëm me qeverinë, pra me politikën `, dhe krejtësisht i palidhur me drejtësinë.
Mickoski, para takimit të liderëve, e kishte të rëndësishme ta siguronte shumicën e 2/3 të votave për votimin e Ligjit për Sejfsitin dhe sigurimin e 2/3 të votave të Badenterit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Faton Selami nga partia Alternativa. Kur Mickoski e siguroi shumicën me ndihmën e ish-deputetëve të Frontit, Bejxhan Iljaz dhe doktorit Ilir Demiri, deputetit të ri të VLEN-it, ish-frontmenit të Selës dhe Ahmetit, takimi jo vetëm që nuk u bë, por ai tekstualisht tallej publikisht, duke thënë se me Ahmetin do të takohet “ndonjëherë”. Ndërsa Ali Ahmeti tha në intervistë në TV 21 se, nëse nuk e thërret, ky vetë do ta ftojë Mickoskin. Mbase këtë do ta bëjë në shenjë mirëkuptimi për Mickoskin se “është i ri dhe akoma i qet buza tamël”. Mbetet të shihet se vallë Ali Ahmeti, “i rritur në kullë prej guri që tri herë është djegur prej pushtuesve”, do ta ftojë në takim “Hristijan Mickoskin, i cili është rritur me gurabija, është rritur me keksa”!
Edhe pse BDI-ja është deklaruar qartë se “nuk është gomë rezervë” për të hyrë në qeveri, VLEN-i, sipas parimit “frika i ruan vreshtat”, nuk bëhet i zëshëm në raport me partnerët maqedonas në qeveri. Përderisa kemi betejë të ashpër, por të heshtur, për pushtet, po ndodh shpenzimi i shpejtë i legjitimitetit të partive shqiptare.
Ndërkohë, përderisa VMRO-DPMNE-ja shtyn me hov para agjendën e saj, VLEN po ristrukturohet si parti, ndërsa debati substancial është se kush do të jetë nënkryetar: Mimoza Musa ose Ilir Demiri, dhe se si do të votohet në presidencën e kryevlenistëve. Natyrisht, “substancial” e themi me ironi, se pozitat nuk kanë lidhje me substancën politike shqiptare.
Në anën tjetër, BDI-ja vazhdon të shkruajë rezoluta, ndërsa atë të fundit e ka quajtur “non-paper”, drejtuar ndërkombëtarëve për Gjykatën Kushtetuese, të cilën e akuzon për destabilizim dhe kërkon që ajo të votojë me Badenter apo shumicë të dyfishtë.
VLEN-i, nga një subjekt i ndryshimit, është në rrugë të mirë të bëhet subjekt i vendnumërimit.
BDI-ja është në rrugë të mirë që, nga parti rezolutash, të bëhet parti “non-paper”-ësh.
Shqiptarët janë në rrugë të mirë të ngelin në statusin e komunitetit, që është mbi statusin e kombësisë në komunizëm dhe nacionalitetit në vitet e pluralizmit 1991–2001. Natyrisht, larg statusit të kombit shtetformues. Tepër larg!
*Kolumnë e shkruar për Gazetën Lajm dhe Lajm TV




