Rubio prej kohësh e kishte në shënjestër Nicolas Maduron dhe ishte një nga forcat shtytëse të strategjisë që përgatiti skenën për pamjet dramatike që u zhvilluan të shtunën, në atë që funksiononte si de facto Dhoma e Situatave në Florida
Ndërsa forcat speciale amerikane kryen një operacion të guximshëm nate për të kapur presidentin venezuelas, Nicolas Maduro në orët e hershme të së shtunës, presidenti amerikan Donald Trump e ndoqi zhvillimin e aksionit nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago. Pranë tij ndodhej Marco Rubio, sekretari i Shtetit dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare.
Ishte një moment i përgatitur prej vitesh për Rubion, djalin e emigrantëve kubanë, karriera politike e të cilit nisi në Floridën e Jugut — shtëpi e mijëra emigrantëve venezuelas që u larguan nga regjimi i Maduros.
Burimet thonë se Rubio prej kohësh e kishte në shënjestër Maduron dhe ishte një nga forcat shtytëse të strategjisë që përgatiti skenën për pamjet dramatike që u zhvilluan atë natë, në atë që funksiononte si Dhoma e Situatave de facto në Florida.
Disa orë më vonë Trumpi njoftoi se po e ngarkonte Rubion të ndihmonte në “drejtimin” e Venezuelës së bashku me zyrtarë të tjerë kyç të pranishëm — një deklaratë e paqartë që ngriti më shumë pyetje sesa dha përgjigje, por që njëkohësisht theksoi rolin e pazëvendësueshëm të Rubios.
Detyra e tij më e fundit në krye të përpjekjeve të administratës për ndërtimin e shtetit forcon ndikimin e tij të jashtëzakonshëm mbi politikën dhe shënon një ngritje të pazakontë për diplomatin kryesor amerikan. Për një njeri që tashmë mban më shumë se një post në Washington, kjo mund të jetë detyra e tij më e rrezikshme deri tash.
“Ka shumë gjëra në Venezuelë që nuk qeverisen lehtë”, ka thënë një ish-diplomat i lartë amerikan për CNN, duke folur në kushte anonimiteti. “Të përpiqesh të vendosësh rend në një vend më të madh se Iraku nuk është gjë e lehtë”
“Argumenti im është: hyj dhe dil”, ka shtuar ai.
Mes ish-diplomatëve dhe ekspertëve të rajonit, ka pyetje të thella rreth planeve të SHBA-së për Venezuelën pas Maduros, mënyrës se si do të zbatohen ato dhe sa gjatë do të qëndrojnë në pushtet zyrtarët e lidhur më parë me Maduron.
Gjetja e përgjigjeve për këto pyetje do të bjerë kryesisht mbi Rubion dhe ekipin e tij.
“Shpresa ime është që (administrata) e ka planifikuar me të vërtetë këtë dhe se do të ketë një plan të qartë se si do të zhvillohet”, ka thënë Todd Robinson, ish-ambasadori i përkohshëm i SHBA-së në Venezuelë gjatë mandatit të parë të Trumpit. “Por kjo, sipas mendimit tim, nuk ka qenë kurrë pika e fortë e kësaj administrate”, ka shtuar ai.
Një ish-zyrtar i lartë amerikan ka thënë se gjatë mandatit të parë të Trumpit ishte bërë “një planifikim i madh” lidhur me një tranzicion demokratik në Venezuelë. Nuk është e qartë nëse administrata do t’u rikthehet këtyre planeve.
Muaj planifikimi në Shtëpinë e Bardhë
Rubio ka kaluar muajt para operacionit të së shtunës në takime në Shtëpinë e Bardhë me zëvendësshefin e stafit të Trumpit, Stephen Miller, për të hartuar strategjinë, i kanë thënë burimet CNN-it.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Rubio rrallëherë ishte larg Trumpit. Ai e kalon shumicën e kohës në Washington në Shtëpinë e Bardhë, të cilën e përdor si bazë operacionale. Koha e tij në Departamentin e Shtetit zakonisht kufizohet në takime dypalëshe. Ai ka kaluar shumë fundjava në Florida, pranë Trumpit. Rubio ka shmangur udhëtimet jashtë vendit dhe ka dërguar zëvendësin e tij në takime jashtë.
Ashtu si me shumë prioritete të politikës së jashtme të administratës, diskutimet se si të “drejtohet” Venezuela po mbahen nga një rreth i vogël këshilltarësh politikë të besuar si Rubio dhe Miller. Richard Grenell, i cili fillimisht kishte qenë i përfshirë si i dërguar diplomatik për misione speciale, prej muajsh nuk ka qenë pjesë e zhvillimit të politikës, sipas zyrtarëve amerikanë. Shumë zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit nuk janë përfshirë.
Ndërsa administrata përgatitej për një Venezuelë pas Maduros, planifikimi për “ditën pas” u zhvillua kryesisht në zyrën e Millerit në Shtëpinë e Bardhë. Është një qendër e pazakontë për një lloj të tillë planifikimi, duke pasur parasysh fokusin e Millerit në çështjet e brendshme, por u zgjodh për shkak të marrëdhënies së ngushtë mes Millerit dhe Rubios dhe dëshirës për të mbajtur një rreth të vogël vendimmarrësish në një administratë të kujdesshme ndaj rrjedhjeve të informacionit.
Partneriteti Rubio–Miller
Muajt e diskutimeve për Venezuelën i bashkuan Rubion dhe Millerin, të cilët ndajnë qëndrime të ashpra kur bëhet fjala për politikën e jashtme. Të dy, sipas burimeve, kanë qenë kyç në strategjinë agresive për izolimin e Maduros dhe, përfundimisht, kapjen e tij.
Edhe pse në të kaluarën kanë pasur mosmarrëveshje për çështje të politikës së jashtme, veçanërisht për imigracionin, ata kanë gjetur gjuhë të përbashkët në qasjen ndaj Venezuelës, ku lufta kundër trafikut të drogës u bë justifikimi kryesor i politikës në muajt para kapjes së Maduros.
Ndërsa qasja e Rubios ishte e përqendruar në rritjen e presionit ekonomik, politik dhe përfundimisht ushtarak mbi qeverinë e Maduros, Miller fillimisht e shihte Venezuelën si një destinacion për deportime. Në fund ai u bind nga argumenti se goditja e Maduros si trafikant droge që mbështet një aparat kriminal kartelesh, i shërbente më mirë interesave të SHBA-së.
Të dy kanë punuar ngushtë së bashku gjatë negociatave të mbyllura mbi mënyrën më të mirë për t’iu qasur Venezuelës dhe kanë lëvizur në sinkron për disa nga vendimet më të rëndësishme të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë negociatat për goditje ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge dhe krijimin e një pranie masive ushtarake në rajon.
Qëndrimi i ashpër i Millerit dhe Rubios ka triumfuar herë pas here ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë në diskutimet me presidentin mbi mënyrën më të mirë për ta goditur vendin me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Këtu ndihmon fakti që të dy gëzojnë besimin e plotë të Trumpit dhe kanë qenë jashtëzakonisht bindës në thirrjet për përshkallëzim kundër Maduros.
Megjithatë, aktualisht as Miller dhe as Rubio nuk po thonë qartë se kë e imagjinon SHBA-ja si udhëheqës afatgjatë të vendit.
“Mund të ketë individë që janë të kërkuar nga drejtësia amerikane dhe që mund të bëhen pjesë e diskutimeve të ardhshme”, ka thënë Miller për CNN të hënën. “Për ata që mund të jenë nën aktakuzë, zgjedhja më e mirë është të jenë pjesë e një procesi konstruktiv vendimmarrjeje për të ardhmen e Venezuelës. Vendimi më i mirë që mund të marrin është të bashkëpunojnë plotësisht me Shtetet e Bashkuara”.
Kur është pyetur për përgjegjësitë e tij të përditshme në “drejtimin” e Venezuelës, Miller ka thënë se Rubio është udhëheqësi i procesit.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka shtuar se “sekretari Rubio ka bërë një punë të shkëlqyer në avancimin e agjendës së politikës së jashtme të presidentit Trump si sekretar Shteti dhe këshilltar për Sigurinë Kombëtare, siç dëshmohet edhe nga ky veprim i fundit për arrestimin e Nicolas Maduros. Ai është lojtar ekipi dhe të gjithë pëlqejnë të punojnë me të në West Wing”.
Rubio në vijën e parë
Rubio tani përballet me kritika të forta nga ligjvënës që thonë se ai kishte deklaruar se administrata nuk po ndiqte ndryshim regjimi në Venezuelë apo sulme brenda vendit. Ai kishte qenë njeriu kyç i administratës për diskutimet me Kongresin, duke udhëhequr informimet mbi goditjet vdekjeprurëse të anijeve në Karaibe. Të hënën, ai ka informuar ligjvënësit kryesorë për operacionin e arrestimit të Maduros, i cili ka hasur shqyrtim të ashpër dhe akuza për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shpesh lexon nga letra gjatë informimeve, Rubio flet rrjedhshëm pa tekst, sipas disa burimeve.
“Rubio është shumë i mirë, kompetent, i përpunuar dhe i kupton senatorët, ndaj zakonisht është ai që udhëheq informimin”, ka thënë një ndihmës i Kongresit.
Trumpi dhe Rubio kanë filluar të përshkruajnë publikisht kornizën e planifikuar për ndikimin amerikan në Venezuelë, një politikë shtrëngimi ekonomik që synon t’i mbysë të ardhurat nga nafta për të ushtruar presion mbi Delcy Rodriguezin, një aleate e Maduros që tani shërben si presidente në detyrë.
“Kjo është një levë jashtëzakonisht e fuqishme që do të mbetet në fuqi derisa të shohim ndryshime që jo vetëm avancojnë interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, por edhe çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë për popullin e Venezuelës”, ka thënë Rubio të dielën.
Ata kanë thënë se fokusi i tyre mbetet në çështjet që lidhen me interesin kombëtar amerikan: migracioni, droga, nafta dhe largimi i ndikimit të kundërshtarëve nga Venezuela. Çështjet si tranzicioni demokratik do të duhet të presin.
Megjithatë, shumë pyetje mbeten pa përgjigje për detajet konkrete të planit të administratës. Deri tani, zyrtarët e karrierës në qeverinë federale kanë qenë kryesisht të përjashtuar nga procesi.
“Ka një numër shumë të kufizuar njerëzish në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë që marrin vendime për këto çështje. Procesi tradicional i politikëbërjes, siç ishte nën presidentët e mëparshëm, nuk ekziston”, ka thënë një tjetër ish-diplomat i lartë. “Njerëzit e mësojnë politikën kur ajo do të zbatohet dhe kanë shumë pak kohë për të siguruar që ajo të ecë përpara”, ka shtuar ai.
Në këtë moment, Rubio është në vijën e parë. Ai ka folur në telefon me Rodriguez të shtunën pas kapjes së Maduros, ka thënë Trumpi. Rubio ka pasur gjithashtu disa biseda të tjera me udhëheqësen aktuale që nga ajo ditë. Trumpi i ka thënë NBC-së se ata komunikojnë në spanjisht, gjuhë që Rubio e flet rrjedhshëm.
Por ideja që Rubio të merret me çështjet e përditshme në Venezuelë nuk është realiste, duke pasur parasysh të gjitha detyrat e tjera që ai ka, ka thënë ish-diplomati.
“Ai do të duhet të delegojë”, ka shtuar ai.
Një ish-zyrtar i lartë amerikan ka thënë se do të ishte e dobishme të emërohej një i dërguar special “për shkak të planifikimit dhe koordinimit masiv që do të nevojitet mes agjencive, nëse dhe kur të arrihet një tranzicion i plotë”.
“Ajo që nevojitet është një operator shumë i sofistikuar që ka besimin e sekretarit dhe të presidentit”, ka deklaruar ai.
Aktualisht nuk ka prani diplomatike amerikane në terren në Venezuelë, megjithëse një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka thënë se po bëhen “përgatitje për të lejuar rihapjen” e Ambasadës amerikane “nëse presidenti merr atë vendim”.
Megjithatë, pa një prani amerikane në terren, ish-zyrtarët pyesin se si mund të ketë një proces rindërtimi, edhe nëse fokusohet vetëm në infrastrukturën për kompanitë amerikane të naftës, dhe kush do të sigurojë llogaridhënien.

“Ai e ndien atë çështje”
Burime që kanë folur për CNN kanë thënë se antipatia e thellë e Rubios ndaj Maduros ka rrënjë të qarta në formimin e tij personal dhe politik në Floridën e Jugut.
“Rreth 100% e njerëzve në Miami që vijnë nga Kuba, Venezuela apo Nikaragua po kërkojnë liri. Jam i sigurt se kjo e ka ndikuar atë”, ka thënë përfaqësuesi republikan Carlos Gimenez muajin e kaluar.
“Ai është djalë i prindërve kubanë. Ai e kupton këtë, e ndien atë çështje, dhe kjo çështje ndihet njësoj edhe nga venezuelasit dhe nikaraguasit atje”, ka shtuar Gimenez.
Gjatë kohës në Senat, Rubio e ka denoncuar shpesh Maduron si “narkodiktator” dhe ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra. Gjatë mandatit të parë të Trumpit, ai ishte në kontakt të rregullt me ekipin e presidentit për të kërkuar presion më të fortë ndaj regjimit të Maduros.
Megjithatë, ka pasur edhe një ndryshim të dukshëm në qasjen e tij: distancimin gjithnjë e më të madh nga opozita venezuelase. Si senator, Rubio ka thënë se Edmundo Gonzalez, me mbështetjen e Maria Corina Machado, kishte fituar zgjedhjet e vitit 2024 “me diferencë dërrmuese”. Në atë kohë, ai e ka quajtur Gonzalezin “presidentin legjitim” të Venezuelës.
Por në javët e fundit, Rubio nuk është angazhuar për një rol të tyre në një qeveri të re venezuelase. Trumpi, ndërkohë, e ka denoncuar Machadon dhe ka pretenduar, pavarësisht provave, se ajo nuk ka “mbështetjen apo respektin brenda vendit.”
Të shtunën, Trumpi lavdëroi marrëdhëniet e Rubios me Rodriguezin, e cila u betua si pasuese e Maduros të hënën.
“Marco po merret drejtpërdrejt me këtë. Sapo pati një bisedë me të dhe ajo në thelb është e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën përsëri të madhe”, ka thënë Trumpi.
“Një shans për ta kthyer faqen”
Vetë Rubio ka thënë se SHBA-ja do ta vlerësojë Rodriguezin bazuar në veprimet e saja, jo në fjalët. Të shtunën Rodriguez ka këmbëngulur se vendi i saj ishte “sulmuar barbarisht” nga operacioni, por mbrëmjen tjetër ajo i ka bërë ftesë qeverisë amerikane për të bashkëpunuar në një “agjendë bashkëpunimi.”
Pas operacionit të së shtunës, Rubio ka komunikuar intensivisht me ligjvënësit dhe homologët e huaj.
Administrata Trump nuk u ka dhënë njoftim paraprak ligjvënësve apo aleatëve amerikanë dhe janë ngritur pyetje mbi ligjshmërinë e operacionit. Demokratët reaguan ashpër, duke thënë se veprimi ishte në kundërshtim me informimet që kishin marrë nga Rubio dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Sigurisë kombëtare të Trumpit, ku mohohej çdo synim për ndryshim regjimi.
Megjithatë, mes shumë ish-kolegëve republikanë të Rubios në Senat, shpjegimi i tij për arsyetimin e administratës duket se ka qenë bindës. Senatori republikan Tom Cotton nga Arkansas, i cili ka folur me Rubion pas operacionit kundër Maduros, ka thënë se administrata donte t’ia jepte udhëheqjes së Rodriguezit një “shans për ta kthyer faqen në Venezuelë.”




