Si do të mbarojë BDI? BDI në opozitë – interes nacional!

Mersel Bilalli

Dita e zgjedhjeve është afër. BDI mirë e di se për vite ka humbur shumicën e votave shqiptare këtu. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ajo mori shumë më pak se gjysmën e votave shqiptare, por fati i saj ishte në mospajtimet e partive opozitare shqiptare. Kjo e shpëtoi BDI-në nga kolapsi që e priste. Tani BDI i ngjason një aroma jo të këndshme të cilën vet nuk e ndjejmë, por të tjerëve shumë u pengon. Të luftosh për normalitet në këtë parti është njësoj si të luftosh me hijen tënde. Në zgjedhjet e fundit lokale, BDI sërish u shpëtua nga fati që erdhi nga një vendim fatkeq i LSDM-së, që me çdo kusht ta shpëtoj atë nga kolapsi zgjedhor që e priste në pothuajse të gjitha komunat e rëndësishme!
Ky ishte një gabim kardinal i LSDM-së, pasi ajo në fakt kishte në koalicionin qeveritar edhe parti të tjera shqiptare që i ndihmuan të bëjë shumicën. Do të ishte më normale që LSDM-ja atëherë të dilte me qëndrimin se në një moment vendimtar për shtetin, i duhen të gjitha partitë shqiptare dhe kështu t’i lente votuesit lirshëm të votojnë sipas bindjeve të tyre. Por, kjo fitore pire dhe zbukurim me pendla të huaja, shumë t’u kushtoi shqiptarëve, të cilët aq më shumë humbën shpresën për ndryshime dhe morën kurbetin. Ata me të drejtë u ndjenë të plagosur në shpirt, pasi e panë se dikush tjetër shkel mbi vullnetin e tyre. Ata filluan të dyshojnë seriozisht në sinqeritetin e LSDM-së, kurse BDI-në edhe ashtu e perceptonin si një strukturë që mbahet në pushtet me legjitimitet dhe kredibilitet të huaj. Njerëzit u bindën se s’ka aso krimi që kësaj partie s’mund t’i falet!
Si do të mbarojë BDI?
Tani më asgjë s’i ndihmon BDI-së. As ai kandidat që jo-natyrshëm e shëtitin kahmos, duke fshehur vetveten. Në ofertat e tyre gjithçka është boshe, mu ashtu siç janë edhe vet në komplet. Për ata që dinë qoftë dy germa nga pluralizmi, kryeministri shqiptar sikur të ketë edhe marrëveshje me ndonjë parti maqedonase, në këso rrethanash është tejet i dëmshëm, pasi ai do të shndërrohej në izmeqar të shumicës parlamentare maqedonase, nga të cilët në fakt edhe do të varej zgjedhja dhe rrëzimi i tij. Shqiptarët mund të kenë edhe president shteti të vetin, nëse gjejnë partner partiak maqedonas për përkrahje zgjedhore. Ai madje gjatë mandatit nuk do i nënshtrohej asnjë shumice parlamentare.
Por, s’duhet të pretendojnë në kryeministër shqiptar pasi ai do të shndërrohej në servile të shumicës maqedonase. Patron i tij do të ishte shefi i partisë më të madhe maqedonase, pasi ai në çdo moment do të mund ta shkarkonte nëse nuk e dëgjon. Këtë shumë mire e dinë edhe në vet partinë në pushtet, andaj jo rastësisht edhe janë fshehur dhe s’duken askund. Sidoqoftë, është mjaft e qartë se BDI-në më nuk e shpëton asgjë. Nga plogështia e saj për rreth 20 vendin e lëshuan qindra mijëra shqiptarëve të rinj e vital, pasi nga fjala “zhvillim ekonomik” aty nuk panë as shkronja e vogël “zh”. Madje edhe vet përkrahësit e saj, këtë subjekt e identifikojnë me injorancë, papërgjegjësi dhe makro-korrupsion. Kështu që faktori i jashtëm ka sjellë verdiktin e duhur – se kjo strukturë ka nevojë për pushim të gjatë.
Prandaj, tani kësaj partie i ushton goja, por i rrënkon forca. Për vite na i pruanin mizat që të na i hidhnin grenzat! Njerëzit ndër dekada u lanë në apati totale, pasi pushteti i tyre u shndërrua në instrument keqpërdorimi e pasurimi personal. Madje edhe anëtarësinë e ndershme dhe do funksionar të vet të sinqertë i lanë në dëshpërim. Shumë vende kanë bërë bum ekonomik për 20 vite, madje edhe një Somali simbol i urisë botërore tani ka zhvillimin ekonomik marramendës për 12 për qind. Gjithë bota bëri hapa të mëdha, kurse ne për 20 vite shkuam shumë pas. Pushtetarët ekonominë e trajtuan si religjion, pasi gjithë vitin na detyruan në agjërime masive. Nga ana tjetër, të gjithë e shohin që zyrtarët e tyre, që për vite s’kishin as biçikletë, tani drejtojnë xhipe të shtrenjtë. Kishin shtëpi gjysmë të rrënuara, tani zotërojnë shtëpi të mëdha moderne, vila, hacienda, prona e kompani këtu dhe jashtë vendit! Sjellja e tyre me çallëm të ulët ka irrituar çdo qytetarë.
Ndërkohë demografët konsiderojnë së këto 20 vite nga Maqedonia u larguan rreth 300 mijë shqiptarë (pra, gjysma e popullsisë shqiptare në RMV). Zoti Ahmeti këtë e quan si trend modern ballkanik, por tragjedia është se eksodi shqiptarë nga këtu është tri here më i lartë se sa mesatarja ballkanike dhe kjo është tejet trishtuese. Shembull, në Mal të Zi në vitin 2019, nga 1000 banorë të saj ishin larguar nga shteti vetëm – 31 persona; në Serbi – 54; në BeH – 61; në Kosovë – 68; kurse në Maqedoni në pjesën shqiptare – 127. Tani pikëpyetje e madhe është se a jemi si popullate rezidente 20 % (ekspertët demograf thonë rreth 17%).
Prej këtu, partia në pushtet bënë çka mos që të shpëtoj. Andaj shpiku diçka nënçmuese për inteligjencën e votuesve. Por është tepër vonë. Në politikë ndonjëherë edhe diamante të shpërndani nuk e shuani urrejtjen. Posti i trilluar iu pat ofruar emrave të shquar, por ata e patën refuzuar, madje edhe me sugjerimin e ndërkombëtarëve. Të jashtmit janë tejet të irrituar, jo vetëm me dozën e mashtrimit që ka ky slogan, por edhe me drojën çka nëse në të ardhmen për të gjitha postet relevante pala maqedonase del me elementin e tyre të përbashkët etnik!
Me këtë duket se BDI vulosi statusin opozitë bashkë me të gjitha rreziqet që mund t’i ndodhin një partie që të vetmen ideologji ka pasur pushtetin me çdo kusht dhe keqpërdorimet nga ky. Paria shqiptare në pushtet tani po përballet me humbje serioze dhe nuk ka gjasa që diçka ta shpëtojë. Do figura të shquara të saj lokale e qendror, fshehurazi komunikojnë me koalicionin oponent. Disa tashmë këtë e bëjnë edhe publikisht. Ata e ndjejnë pulsin e ndryshimeve. Në të gjitha sondazhet analitike për jetën reale, për zhvillimin ekonomik, për arsim më të mirë, për shëndetësi normale, për ndaljen e shpërnguljes etj – besimi në BDI është në vijën e kuqe.
Çfarë presin qytetarët shqiptarë?
Kur t’i mblidhni të gjitha përgjigjet direkte e indirekte nga secila analizë gjithëpërfshirëse e opinionit publik kushtuar zhvillimit, është e qartë se rreth 80 përqind e shqiptarëve prisnin dhe presin vizion për zhvillim ekonomik. Kjo duket se është kuptuar mirë nga kundërshtarët e partisë në pushtet, por sikur inercioni akoma u thotë – mbani atë etnike! Slogani “Shtet për të gjithë” është shumë normal, por për të arritur barazinë e vërtetë, duhet të fillohet nga zhvillimi ekonomik, sepse hapi i parë i “shtetit për të gjithë” është t’i mbani njerëzit në vendlindje dhe t’u siguroni jetë normale. Nuk ka barazi në kushte varfërie dhe emigrimit. Me këso politike ditë e më shumë banorë të vetëm të vendit tonë mbeten vetëm sorrat që krakisin mbi shtëpitë e vetmuara. Po të vazhdohet me të vjetrën, së shpejti nuk do të kemi me cilin të krahasohemi pasi do mbetemi një pakicë në zhdukje.
Andaj kjo është arsyeja pse koalicioni pretendues shqiptar i pushtetit duhet të përqendrohet fort në zhvillimin ekonomik përmes veprimeve konkrete, projekteve, programeve, financave, shifrave, në të gjitha fushat. Njerëzit presin shpresë për shpëtim, për ndalje të eksodit. Njerëzve duhet shpjeguar rrugëdalje nga tragjedia historike që na ndodhë këtu para syve. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur pjesëmarrja më e madhe në votime. Përndryshe, mund të na befasoj bojkoti i qetë.