Si do të duket sezoni 2020/21: Luftë mes klubeve dhe Kombëtareve për lojtarët

UEFA e ka përgatitur planin për sezoni 2020/21, që do të duhet të luhet me format më ndryshe shkaku i komplikimeve që i ka sjellë virusi Covid-19. E gjitha kjo agjendë e ngarkuar, sipas DailyMail, mund ta nxisë një lloj lufte mes klubeve dhe ekipeve kombëtare për lojtarët.

Organi qeverisës i futbollit evropian pritet ta zyrtarizojë një agjendë të ngarkuar për ndeshjet e sezonit të ardhshëm – me ndeshjet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës e Ligës së Kombeve – me shpresën se do të mundë t’ia rinisë sezonin e ri në mes të shtatorit, transmeton Gazeta Express.

Përderisa pandemia Covid-19 e ka paralizuar botën e futbollit, UEFA është ende duke tentuar të gjejë mënyrë se si t’i mbyllë garat e sezonit aktual 2019/20. Njëra ndër planet është që të gjitha ndeshjet të zhvillohen në gusht gjatë një periudhe 23-ditore.

Sipas këtij plani, finalja e Ligës së Kampionëve do të luhej më 29 gusht, vetëm 16 ditë para se të rikthehen klubet për sezonin e ri 2020/21, përfshirë këtu edhe ligat elitare si Premierliga.

Mes këtyre datave pritet edhe kthimi i ndeshjeve të ekipeve kombëtare në Ligën e Kombeve, përderisa edhe shumë futbollistë latinë që luajnë në Evropë do të mungojnë rreth dy javë shkaku i ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës.

Për më tepër, pushim s’do të kenë aspak klubet që do të luajnë në rrethet kualifikuese për Ligën e Kampionëve, si kampionia e Ipko Superligës së Kosovës, pasi që ndeshjet do të zhvillohen më 15 shtator, tre ditë pasi të ketë filluar sezoni i ri, përkundër që tradicionalisht këto ndeshje janë zhvilluar para se të niste sezoni i ri.

Klubet do të duhet t’i përshtaten në ndonjë mënyrë orareve të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, përkundër agjendës së ngarkuar që do ta kenë ato gjatë sezonit të ardhshëm, kur s’do të ketë as ndërprerje si zakonisht prej dy muajsh prej fazës së grupeve në fazën e play-offs të Ligës së Kampionëve.

Të gjitha këto do të duhet të përfundohen para se të fillojë Kampionati Evropian, më 11 qershor.

Si mund të duket agjenda e sezonit 2020/21:

4 -8 shtator: Ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës në Amerikën e Jugut dhe potencialisht ndeshjet e Ligës së Kampionëve

12 shtator: Nisja e planifikuar e sezonit 2020/21 në ligat vendore

15 shtator: Ndeshjet e para kualifikuese për Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës

7 – 13 tetor: Ndeshjet e ekipeve kombëtare

20 tetor: Nisja e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve

11 – 17 nëntor: Ndeshjet e ekipeve kombëtare

23 – 25 shkurt: Ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

9 – 11 mars: Nisin ndeshjet e fazës eliminatore të garave evropiane (vetëm nga 1/8)

24 – 30 mars: Play-offs për EURO 2020 (ndeshja e Kosovës kundër Maqedonisë së Veriut) dhe ndeshje miqësore përgatitore për Evropian

16 maj: Mbyllen sezonet në ligat vendore

20-23 maj: Finalet në Ligën e Evropën dhe Ligën e Kampionëve

11 qershor: Fillon Kampionati Evropian.