Raporti i ekspertimit gjeologjik i FBI-së i 3 nëntorit të këtij viti kishte dalë në përfundim se mostra e dheut të çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq më datën 30 nëntor të vitit 2024, nuk dallon me mostrat e dheut të marrë në vendin e ngjarjes në fshatin Varagë te kanali i Ibër-Lepencit ku ndodhi sulmi terrorist më 29 nëntor të vitit të kaluar.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që është kryer një vit më parë. Ndër veprat penale për të cilat akuzohen, është edhe rrezikimi i rendit kushtetues, nëpërmjet veprave terroriste e spiunazhit. Një nga të akuzuarit është pjesëtar i Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Serbisë, VBA.
Aktakuza përfshin vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, që akuzohen për “Rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, dhe për terrorizëm. Ata dhe Igor Dimiqi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
“Gjendja faktike e përshkruar si në këtë aktakuzë vërtetohet qartazi edhe nga Raporti i ekspertimit geologjik i FBI, i dt.03.11.2025, me nr. ref: FBI/80-SP-C120 (ID e Rastit me nr.SP-2478001) i mostrave të DHEUT TË ÇIZMEVË të sekuestruara në shtëpinë e të pandehurve – vëllezërve Vicentiijević në Zubin Potok dhe në fshatin Prevllakë që të po kësaj komune, me datë. 30.11.2024, së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertet e Policisë së Kosovës dhe zyrtarët e Byrosë Federale e Hetimeve të SHBA-së “FBI” të marra në vendin e ngjarjes (fshati Varage, Zubin Potok tek kanali “Iber Lepenc”), pastaj në oborrin e shtëpisë së të pandehurve në Zubin Potok si dhe tek shtëpia e tyre në fshatin Prevllakë, komuna Zubin Potok, nga të cilat mostra Eksperti Videntici në me Raport ka marrë ngrirë se çizmave të të pandehurve janë nga Dragisha Vicentiijević dhe me motra të tjera të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Iber Lepenc”, nuk ka dallueshmëri, për sa i përket strukturës, ngjyrës dhe përbërjes së dheut, çka vërteton se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist ndaj kanalit “Iber Lepenc”. Gjatë zhvillimit të hetimeve, me pjesëmarrjen dhe asistencën e ekspertëve të FBI/SHBA janë siguruar prova dhe dëshmi në vendin e ngjarjes. Duke aplikuar teknikat bashkëkohore janë siguruar edhe mostrat referente të dheut të marra nga ekspertet e DKT/FBI në vendin e ngjarjes i.e. në fshati Varage, Zubin Potok tek kanali “Iber Lepenc”, pastaj ii. në oborrin e shtëpisë së të pandehurve në Zubin Potok dhe iii. në fshatin Prevllakë, të cilat mostra janë marrë me qëllim të krahasimit me dheun dhe baltën që janë hasur në dy palë çizme të gjetura dhe sekuestruara gjatë kontrolleve, në pronën e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Vicentiijević”, thuhet në ekspertizën e FBI-së e cila figuron në aktakuzën që Prokuroria Speciale ka ngritur.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se e realizuan sulmin mbi infrastrukturën kritike në fshatin Varagë, që ndodhet në veriun e banuar kryesisht me serbë.
“J.V. dhe D.V. akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, ‘Ibër Lepenc’, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës ngjashmëria e dheut në çizmet e të pandehurve dhe dheut që ishte marrë si mostër pranë kanalit të Ibër-Lepencit vërteton se ata ishin prezent në vendin ku ndodhi shpërthimi dhe ishin personat që e shkatërruan një pjesë të kanalit. E konstatimi për ngjashmërinë ishte bërë nga ekspertiza e FBI-së.
Në aktakuzë Prokuroria thotë se përfundimisht provat e gjetura e të analizuara, e po ashtu edhe fotografitë e videoincizimet, dëshmojnë se i pandehuri Jovan Viqentijeviq, kolonel në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë Serbe, ka ndërmarrë veprime konkrete në sulmin terrorist. Ai është parë në videoincizime duke manovruar me lloje të ndryshme të armëve luftarake dhe të eksplozivëve ushtarakë.
“Përfundimisht, nga provat e gjetura dhe të analizuar si më lartë, i pandehuri Jovan Vicentijeviq, me gradën Kolonel në Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë Serbe, e po ashtu edhe nga foto grafit dhe video incizimet, ku i njejti shihet se manovron me llojet të ndryshëm të armëve luftarake dhe eksplozivëve ushtarak, arrijmë deri te konstatimi se i njëjti ka ndërmarr veprimet konkrete nëë sulmin terrorist të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu në aktakuzë thuhet se Jovan Viqentijeviq përcillte lëvizjet e ushtarëve të KFOR-it.
“I pandehuri Jovan Viçentijeviq, po ashtu nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit të tij, në cilësinë e të rekrutuarit në një shërbim të huaj informativ, në këtë rast të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetet të tij kundërligjshëm në territorin e Kosovës dhe të njëjtat t’ua komunikojë këtij shërbimi, përmes vizitave dhe takimeve që ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj, të cilat informacione dhe dokumente i ka siguruar përmes spiunimit. Në kuadër të dokumentacioneve, që i pandehuri ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë dhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh, për nevojat e operacioneve në teren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale të Policisë në Jasenovik, që gjendet në komunën e Zubin Potokut, e në veçanti i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për Kosovën, në raport me bashkësinë ndërkombëtare, i njëjti përmes një dokumenti të modifikuar ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizatë fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare”, duke e shoqëruar me disa fotografive të eprorëve të lartë të UÇK-së, me çka këto veprime seriozisht ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.
Sulmi në kanalin e Ibër Lepencit, shkaktoi ndërprerje të furnizimit me ujë të pijes në shumë komuna, meqë nëpërmjet tij shpërndahet uji prej liqenit të Ujmanit deri te dy rajone: Ai i Mitrovicës dhe i Prishtinës.
Autoritetet intervenuan menjëherë, me qëllimin për ta evituar dëmin në Korporatën Energjetike të Kosovës, e cila nëpërmjet këtij kanali siguron ujin për ftohje.
Sulmi terrorist në Varagë të Poshtme të Zubin Potokut është i dyti i përmasave të mëdha, pas atij në Banjskë më 24 shtator 2023.
Për të dyja sulmet, institucionet e Kosovës e kanë bërë përgjegjëse Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati premtuar në disa raste se autoritetet e shtetit që udhëheq do të bashkëpunojnë për çështjen edhe me Policinë e Kosovës, por Beogradi zyrtar nuk u është përgjigjur deri tash kërkesave të Prokurorisë Speciale për bashkëpunim në hetim.




