“Shumë zhurmë për asgjë”, Barça-Real mbyllet pa gola

Ka përfunduar pa gola ndeshja më e shumëpritur e kampionatit spanjoll: Barça-Real.

Edhe pse të dyja skuadrat patën raste për shënim, sulmuesit nuk arritën të shfaqeshin të saktë përpara porte, duke mos arritur të dërgonin topin në rrjetë.

Edhe pse Barcelona ishte favorite në letër, Reali balancoi gjithçka në fushë me një formacion me 4 mesfushorë, ku Casemiro dhe Valverde luajtën bashkë me Kroos në mesfushë, ndërsa Isco dhe Bale u panë shumë në mbrojtje për të bllokuar çdo “shpikje” të mundshme të Messit.

Në pjesën e parë, Pique dhe Sergio Ramos larguan nga vija fatale topat e goditur nga Casemiro dhe Messi respektivisht.

Në pjesën e dytë, Messi dhe Bale falën dy raste me të majtën që zakonisht janë gola. Gjithashtu, uellsianit iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje të Mendy, i cili i dha pasimin.

Përgjatë 90 minutave, Reali u paraqit më mirë sesa katalanasit, por i mungoi finalizimi.

Me këtë barazim, Barça dhe Real vazhdojnë të mbajnë së bashku kryesimin e kampionatit me pikë të barabarta.