Me djegie të rënda që ende nuk janë shëruar plotësisht dhe me pasoja të rënda psikologjike nga të cilat ende nuk janë rikuperuar, të lënduarit nga zjarri vdekjeprurës në diskotekën “Pulse” në Koçan, të cilët janë në marrëdhënie pune, detyrohen që çdo muaj të paraqiten para një komisioni për vazhdimin e pushimit mjekësor.
Në vend që fokusi të jetë në shërim dhe rehabilitim, ata përballen vazhdimisht me procedura administrative, të cilat – sipas familjarëve – e përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen fizike dhe psikologjike të të lënduarve.
Prindërit kërkojnë nga shteti që procedurat të thjeshtohen dhe të mundësohet një periudhë më e gjatë pushimi mjekësor.
Pas tragjedisë që mori jetën e 63 personave, prindërit e të lënduarve – disa prej të cilëve ishin në gjendje kërcënuese për jetën – kërkojnë edhe mbështetje më të madhe financiare nga shteti. Problem i veçantë, siç theksojnë ata, janë shpenzimet e udhëtimit për ata që ende disa herë në muaj duhet të udhëtojnë për trajtime mjekësore jashtë vendit. Barrë shtesë përbëjnë edhe kremrat e shtrenjtë, fashot speciale dhe barnat që do t’u nevojiten për vite me radhë për kujdes dhe rikuperim të duhur.
Prindërit shprehen se në përgjithësi janë të kënaqur me trajtimin që të lënduarit marrin në spitalet lokale, por reagojnë ndaj qasjes së stafit në disa klinika në Shkup.
Paralelisht me kërkesat institucionale, vazhdon edhe apeli humanitar për ndihmë. Nisma qytetare “Support Kocani” ka intensifikuar fushatën për donacione, duke theksuar se fashot silikoni dhe kremrat specialë janë thelbësorë për kujdesin afatgjatë të të lënduarve më rëndë.
Nga iniciativa paralajmërojnë se rikuperimi nga këto lloj lëndimesh është një proces i gjatë dhe i vështirë që mund të zgjasë me vite dhe se mbështetja nuk duhet të ndalet, pasi të prekurit kanë përpara një betejë të gjatë dhe kanë nevojë për solidaritet nga e gjithë shoqëria.




