Shumë dokumente për të përfituar kuponin 12 mijë denarë për pushime

Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut do të ndajë 1.250 kuponë (ose kartela pagesore) në vlerë prej 12 mijë denarëve (rreth 200 euro), që qytetarët të kalojnë pushimet në ndonjë prej qendrave turistike në vend.

Këta kuponë do t’u jepen qytetarëve, buxhetet familjare të të cilëve nuk tejkalojnë pagën mesatare prej 30 mijë denarëve (rreth 500 euro).

Por, këto mjete financiare do t’u ndahen personave që janë më të shpejtë në mbledhjen e dokumenteve që kërkohen, siç janë: vërtetimi për vlerën e të ardhurave, raporti nga banka për të hyrat në tre muajt e fundit të të gjithë anëtarëve të familjes së ngushtë, certifikata e lindjes, certifikata nga agjencia e punësimit për anëtarët e familjes që nuk janë në marrëdhënie pune, e të tjera.

Taip Nuredini thotë për Radion Evropa e lirë se ka aplikuar për sigurimin e parave për të kaluar pushimet në një nga pikat turistike në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, ai nënvizon se i janë dashur pothuajse një javë që të mbledhë dokumentacionin e nevojshëm, pasi siç thekson, në shumë institucione, ku është dashur të merren këto dokumente, ka pasur pritje të gjata.

“Po, ka qenë mjaft e kushtueshme mbledhja e dokumentacionit për të aplikuar sepse kam paguar te noteri për verifikimin e certifikatave. Pastaj tek Enti për Punësim kam humbur shumë kohë për t’i siguruar vërtetimet, pasi ka pasur radhë të gjata, njësojë sikurse edhe te banka, ku ka pasur radhë të gjata. Në fund, pas gjithë këtij mundi të refuzohesh sepse është mbushur numri, mendoj se nuk është aspak në rregull”, thotë Taip Nuredini nga Shkupi.

Por, nga sektori i hotelerisë thonë se shpërndarja e numrit të vogël të kuponëve, do të ndihmojë shumë pak në rimëkëmbjen e turizmit, një ndër sektorët e goditur më së keqi nga kriza e pandemisë së koronavirusit.

“Kjo ndihmë është minimale sepse kur do t’i ndani në të gjitha kapacitetet e hotelerisë, ky numër i turistëve vendorë, që parashihet të marrin ndihmë nga shteti për të kaluar pushimet në ndonjë nga qendrat turistike, nuk plotëson as 10 për qind të kapaciteteve. Prandaj, vlerësojmë se shteti duhet të rrisë për të paktën dyfish numrin e personave që do të duhej ta merrnin këtë ndihmë”, thotë Kërste Bllazhevski nga Asociacioni i Hotelerive në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, agjencitë turistike vlerësojnë se ndihmat nga shteti për sektorin e turizmit, sado të vogla që të jenë, sërish paraqesin një ndihmë të rëndësishme për të mbajtur gjatë këtë sektorë. Megjithatë, shtojnë se aplikimi për të fituar kuponë është i komplikuar dhe do të ishte më mirë, sikur mjetet t’u ndaheshin agjencive turistike dhe të njëjtat do të bënin kompletimin e dokumentacionit, në mënyrë që paratë e ndara nga shteti të mund të shfrytëzoheshin maksimalisht.

Pronarët e hoteleve kanë thënë po ashtu se duhet të përshpejtohet edhe vaksinimi i stafit të sektorit të hotelerisë, në mënyrë që turistët të mund të ndihen të sigurt, gjatë pushimeve të tyre.

“Shpresoj që së shpejti të përfundojë pandemia dhe shteti të ofrojë jo vetëm subvencione, por edhe vaksina. Ndihmat janë shumë të rëndësishme, por më e rëndësishme është vënia nën kontroll e pandemisë dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes vaksinimit sa më të madh të qytetarëve, sepse vetëm në këtë mënyrë ata do të ndihen të sigurt për të lëvizur apo për të bërë pushime”, thotë Albert Hani, që drejton një bujtinë familjare në Strugë, buzë Liqenit të Ohrit.

Për të shpëtuar sezonin turistit, gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Maqedonisë së Veriut, ndau mbi 100 mijë kuponë në vlerë prej 100 eurosh secila, me qëllim që të nxiste qytetarët të kalonin pushimet brenda vendit. Por, vetëm 65 për qind e këtyre kuponëve u shfrytëzuan për shkak se kategoritë sociale, patën vështirësi të siguronin mjete shtesë, që u nevojiteshin për të arritur në qendrat turistike në Maqedoninë e Veriut./REL/