Shuhen zjarret në Gjirokastër

Një ditë pasi zjarri përfshiu zonën e Lunxhërisë në Gjirokastër ku për pasojë u shënua edhe një viktimë, të gjitha vatrat e zjarrit në këtë qark janë shuar. Lajmin e ka dhënë ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai kërkoi bashkëpunimin komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm, ndërsa vlerësoi punën e Forcave të Armatosura dhe zjarrfikësve për shuarjen e flakëve.

“Dielli lind përsëri në Gjirokastër. Pas një nate mes zjarresh, falë punës së palodhur dhe me sakrifica të Forcave të Armatosura, forcave zjarrfikëse dhe forcave të tjera të Bashkisë Gjirokastër, vatrat e zjarrit janë eliminuar. Vazhdojmë vigjilencën dhe kërkojmë bashkëpunim komunitar për të identifikuar zjarrvënësit e qëllimshëm”, shkruan Peleshi.