Shuarja e Fan Nolit, lutja e tij e fundit për pendim dhe blatim hyjnor

Shkruan: Albert Vataj 

Në fillimin i marsit të vitit 1965 gjendja shëndetësore e Nolit 83-vjeçar rëndohet. Dhembjet iu bënë aq të padurueshme, sa ai për herë të parë, pas kalvarit të gjatë të vuajtjeve, pranoi më në fund të marrë qetësues. Pranë i qëndronte, jo vetëm Meri Xhons, po dhe një infermiere dhe miku i tij, Rako Theodhori. Noli, si shkëmbente ndonjë fjalë, lexonte, përpiqej të shkruante diçka. Në mes dorëshkrimeve të këtyre ditëve, do të gjendej në komodinën e tij dhe teksti i një lutjeje, shkruar me dorën e vet, në të cilën thuhej:

“Kur ju, o mbret i gjithë qiejve, do të vini në tokë, me fuqi e lavdi, e tërë bota do të dridhet nga frika, lumenj zjarri do të rrjedhin përpara gjykatores së tmerrshme, librat atëherë do të hapen dhe mëkatet e fshehura do të zbulohen. Oh, shpëtomë nga zjarri i përjetshëm dhe i pashuar dhe vendosmë në të Djathtën tënde në Parajsë, o gjykatës i drejtë dhe i mëshirshëm!”
Ç’ishte kjo lutje e Nolit në ditët e fundit të jetës? Thirrje për t’i lehtësuar vuajtjet apo ndjesë për t’i falur mëkatet? Deri në fund, ai do të guxonte, siç kish bërë gjithnjë, dhe kësaj here do të lypte privilegjin e perëndishëm, në jetën e amshuar që e priste.

Më 8 mars Noli i sëmurë mori një goditje cerebrale, aq sa humbi të folurit, por, pas 24 orëve, çuditërisht, u duk sikur u përmirësua, sepse filloi, sado me vështirësi, të komunikojë. Por kjo ishte loja e fundit e jetës me vdekjen dhe shihej qartë se s’kishte më asnjë shpresë.

Dita e 13 marsit gdhiu një ditë e bukur me diell, si sot, prelud pranvere. Noli e ndjeu këtë lajthitje të stinës së hareshme të ngjyrave dhe aromave dhe kërkoi me këmbëngulje ta nxirrnin jashtë në kopsht. Meri Xhons nuk i bëri dot ballë dëshirës së tij dhe, në kundërshtim me këshillat e mjekut, duke menduar se banjat e diellit e qetësonin, e zhvendosi në kopsht. Aty ai do të qëndronte shtrirë, me libër në dorë, nën rrezet e vakëta dhe puhizën e pranverës së hershme. Të tjerët do ta shikonin e ndiqnin nga dritaret e shtëpisë. Ishte ora 11, kur Noli hapi gojën 2-3 herë, iu varën duart, ndërsa libri i ra për tokë. Në frymën e mbrame, sytë i kish përqendruar te lulet dhe gjethet e sapo çelura.

U shua!

U fik një nga diejt që ngrohu dhe driti kudo që duart e vullnetit të mirë shtriu, kudo që zemra e platuar dëshirimesh dhe shenjtërisë së shpirtit preku me prehje e përkorje, frymoi dhe frrymëzoi.

Më 13 mars 1965 u nda nga të gjallët e një rrugëtimi mendje dhe shpirt për dritë e dituri, besim dhe komb, një prej personaliteteve më të pazakontë të historisë së Shqipërisë, Fan Noli. Ai ishte dhe mbeti burrështetasi dhe intelektuali i shquar, poeti dhe përkthyesi i pashoq, poligloti dhe dijeshumi i përmasave botërore, zëri i zëshëm i interesave shqiptare, kleriku i apasionuar dhe figura më e debatuar politike dhe historike.

I ndihmuar nga patriotët, Noli nis veprimtarinë politike dhe letrare. Shkruan artikuj publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashrit. Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patriotët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, të cilit kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovinistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj. Megjithëse nuk kishte bindje të forta fetare, u shugurua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e Kishës Ortodokse Shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetarë etj.

Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat më 1912 u bashkuan në federatën mbarëshqiptare “Vatra” dhe po atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Në vitin 1935 u kthye në një nga pasionet e tij të vjetra, muzikën dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin “New England” në Boston, ku u diplomua tre vjet më pas. Ishte 63 vjeç kur mori titullin “Doktor” në Filozofi nga Universiteti i Bostonit për disertacionin “Gjergj Kastrioti – Skanderbeu, 1405-1468” (George Castrioti Scanderbeg), që botohet më 1947, vdiq në Florida. Ai iku duke lënë pas një vepër dinjitoze dhe njiherash një personazh unik. Një njeri i madh që ishte i tillë edhe në gjëra të vogla, të cilat ai i jetësoi me pasion e përkushtim.