Shtyhet sërish seanca për ekstradimin e “spiunes” ruse Svetlana Timofeva

Seanca e radhës në ngarkim të shtetases ruse Svetlana Timofeva, e cila akuzohet për spiunazh në vendin tonë, është shtyrë sërish.

Gjyqi që po zhvillohet në Elbasan për të vendosur rreth ekstradimit të saj në Rusi, u bllokua këtë herë për shkak se Timofeva kërkon që dokumentet e prokurorisë të jenë në gjuhën ruse.

Edhe në seancën paraardhëse, pati debate për shkak se gjykata vendosi të shtyjë afatin e paraburgimi, vendim që u quajt shkelje flagrante nga mbrojtja. Avokati i saj, Saimir Vishaj, kundërshtoi kërkesën e prokurorisë dhe kërkoi përjashtimin e gjyqtares së çështjes, por kërkesa u rrëzua.

Timofeva, së bashku me rusin Mikhail Zorin dhe ukrainasin Fadir Mykhaylov (Aplativ) u ndaluan më 20 gusht në Gramsh në uzinën e armëve. Ata u arrestuan pasi ushtruan dhe dhunë ndaj rojeve të uzinës duke i sulmuar ata me spraj në fytyrë.