Shtrenjtohen dukshëm derivatet e naftës në Maqedoninë e Veriut, ja çmimet e reja

Autoriteti rregullator i energjisë në Maqedoninë e Veriut- KRRE njoftoi të hënën një rritje të ndjeshme të çmimeve të shitjes me pakicë të karburanteve, duke reflektuar luhatjet e fundit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator për Energjetikë, pikat e karburantit në të gjithë vendin do të aplikojnë çmime të reja duke filluar nga mesnata:

Benzina: Çmimet e EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të rriten me 5,00 denarë për litër. Një litër BS-95 do të tregtohet me 79,50 denarë, ndërsa BS-98 do të kushtojë 81,50 denarë.

Dizeli: Goditjen më të rëndë e ka pësuar nafta, e cila do të shtrenjtohet me 14,50 denarë për litër. Çmimi i ri i dizelit do të fiksohet në 85,50 denarë.

Vaji Ekstra i Lehtë: Karburanti për ngrohje shtëpiake (EL-1) ka pësuar një rritje prej 12,50 denarë, duke arritur vlerën prej 82,50 denarë për litër.(INA)