Shteti do të shlyej kamatat e borxheve të qytetarëve

Me ligj do të fshihen kamatat e borxheve ndaj ndërmarrjeve shtetërore përfundimisht me vitin 2017. Përveç kësaj do bëhet edhe riprogramim i domosdoshëm i borxhit kryesor, gjegjësisht, sa më i madh të jetë borxhi, do paguhet në më shumë këste. Në vend të 1/3 siç ishte deri tani, përmbaruesit do mund të marrin vetëm 1/5 e rrogës, gjegjësisht 20% nga rroga. Kjo vlen për ata që marrin rroga nën mesataren ose rroga mestare. Këto janë dy propozim ligjet që Qeveria do i dorëzojë në Kuvend për ndryshime në mënyrën e përmbarimit. Pagesa e borxhit kryesor dhe shpenzimet e gjyqit, noterit dhe përmbaruesit do bëhet në këste mujore varësisht nga shuma e borxhit. Për borxhe deri në 10 mijë denarë do paguhen në 6 këste, nga 10 deri në 60 mijë denarë në 12 këste, nga 60 deri 120 mijë denarë në 24 këste, nga 120 deri në 240 mijë në 36 këste dhe mbi 240 mijë në 48 këste- deklaroi Zoran Zaev. Për momentin nuk do ketë zvogëlim të shpërblimit të përmbaruesve nga 1000 në 300 euro pasi dje përmbaruesit dolën në grevë duke i mbyllur zyrat e tyre. Propozimi jonë ishte çdo lloj i përmbarimit të shkojë me 300 euro. Ata dolën me argumente se 300 euro për bllokimin e llogarisë dhe për organizim të ankandit është dallim i madh. Këtu do duhet të bëjmë dallim, por unë mbetem në atë se kur bëhet fjalë për përmbarim të thjeshtë të llogarisë, nuk duhet të ketë shpërblim të madh. A do e mbyllni për 10 mijë apo për 100 mijë denarë, aty nuk ka ndikim të madh përmbaruesi- tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Fshirja e kamatave dhe riprogramimi i borxheve do vlejë vetëm për institucionet e shtetit. Kompanitë private në bazë vullnetare do vendosin nëse do i fshijnë kamatat dhe do i riprogramojnë borxhet. Kryeministri apeloi që në këtë të bashkëngjiten të gjitha kompanitë. Nëse këto ndryshime ligjore hyjnë në fuqi, në afat prej tre muajve patjetër do duhet të fshihen kamatat dhe të riprogramohen borxhet.