Shtetet e BE vendosin të ndjekin një kurs më të ashpër ndaj Rusisë

BE dëshiron të hartojë një plan masash ndëshkuese për t’iu përgjigjur “veprimtarive keqdashëse” nga Rusia. Nuk duhet të ketë takime të posaçme me Vladimir Putin. Shtetet e BE duan të reagojnë shumë më ashpër ndaj veprimeve dashakeqe nga Rusia në të ardhmen. Sipas një vendimi nga krerët e shteteve dhe qeverive, do të hartohet një plan për masat ndëshkuese, i cili përfshin gjithashtu sanksione ekonomike.

Ekziston “një nevojë për një përgjigje të vendosur dhe të koordinuar nga BE dhe vendet anëtare të saj, ndaj çdo veprimtarie të mëtejshme dashakeqe, të paligjshme dhe përçarëse nga Rusia”, citon deklarata e samitit. Prandaj, BE duhet të përdorë plotësisht instrumentet në dispozicion të saj.

Për veprime dashakeqe dhe të paligjshme të tilla si pirateria dhe operacionet që përfshijnë shërbimet sekrete ruse në vendet e BE-së.

Një përgjigje më e qartë dhe më e shpejtë ndaj rasteve të tilla, si ajo e opozitarit Alexei Navalny , i cili fillimisht u helmua dhe më pas u burgos, gjithashtu duhet të jetë i mundur. Përgjigjet ndaj rasteve të tilla deri më tani kanë qenë relativisht të kujdesshme. Për shembull, diplomatët rusë dëboheshin ose u vendoseshin sanksione simbolike zyrtarëve ose agjencive qeveritare.

Sanksionet ekonomike Rusisë iu vendosën për herë të fundit në 2014, në prag të konfliktit me Ukrainën. Sanksionet e tilla janë ende në fuqi edhe sot. Sipas deklaratës së samitit të ri nga krerët e shteteve dhe qeverive, pozicioni i BE ndaj Rusisë duhet të jetë në gjendje të ndryshojë, vetëm nëse Rusia jep kontributin e nevojshëm në zbatimin e plotë të marrëveshjes së paqes në Minsk për konfliktin e Ukrainës.

Nuk do të ketë samit BE-Rusi

Kancelarja Angela Merkel nuk ishte në gjendje të inicionte propozimin e saj për një takim të lartë të BE me Presidentin rus Vladimir Putin. “Nuk ishte e mundur sot të binim dakord që do të takoheshim menjëherë në nivelin e menaxhimit, domethënë në nivelin ekzekutiv,” tha politikania e CDU në Bruksel. Por formatet dhe kushtet për një dialog me Rusinë tani janë duke u punuar.

Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kishin bërë fushatë për një korrigjim kursi: nga njëra anë, sanksione më të ashpra, të koordinuara për shkelje të ligjit nga Rusia, nga ana tjetër, opsioni i takimeve të nivelit të lartë të BE me Putin. Sidoqoftë, shumë vende të BE kanë rezerva, për një dialog të pakushtëzuar.

“Personalisht, do të kisha dashur një hap më të guximshëm këtu,” shtoi Merkel. Sidoqoftë është e rëndësishme, që formati i dialogut të ruhet dhe të punohet në të. Ajo e përshkroi diskutimin me kolegët e saj të BE si të gjerë dhe jo të lehtë.