Shtetet e Bashkuara kërkojnë drejtësi për vëllezërit Bytyqi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi përmes një deklarate, që më pas u shpërnda edhe nga Ambasada e të njëjtit vend në Kosovë, kujtoi 22-vjetorin e rrëmbimit të tre vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi nga policia serbe.

Në deklarata, Qeveria e SHBA-së ia kujton Serbisë se nuk mund dhe nuk do ta harrojnë këtë krim duke kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“22 vjet kanë kaluar qëkur tre amerikanët, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u zhdukën derisa po mbaheshin në paraburgim nga njësitë speciale të policisë së Serbisë. Trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo, në lindje të Serbisë, nën kontrollin e njësisë së udhëhequr nga Goran Radosavljeviç – Guri. Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, megjithatë pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur një hetim të plotë. Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Vendosja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjen e tyre dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kryen dhe mbuluan vrasjet e tyre mbetet prioritet sa u përket raporteve bilaterale me Serbinë”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara i bëri thirrje përsëri autoriteteve serbe, të cilat kanë premtuar të ndihmojnë për zgjidhjen e këtij rasti me vite, për një hetim të plotë.

“Ky rast dhe shumë të tjerë ilustrojnë nevojën urgjente që Serbia t’i zgjidhë hetimet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të përqendrohet në forcimin e shtetit të së drejtës”, përfundon deklarata.

Ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Beograd reagoi edhe me rastin e dhënies së pllakës së xhandarmërisë komandantit të parë të kësaj njësie policie në Serbi, Goran Radosavleviq- Guri, më 30 qershor, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm.

SHBA kujtoi se Goran Radosavleviq Guri ishte në krye të kampit ku u gjetën eshtrat e tre shtetasve amerikanë, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, duke kërkuar që ai të përballet me drejtësinë de jo të nderohet.