Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në Gjevgjeli është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, pasi i njëjti është kapur duke transportuar ilegalisht 10 emigrantë nga Egjipti dhe Maroku, përcjell TV21.
“Më 19.11.2025, rreth orës 23:35, në rrugën “Vardarski Rid” në Gjevgjeli, punonjës policie nga Stacioni Policor për kalim kufitar dhe mbikëqyrje kufitare “Bogorodicë” arrestuan V.C. (24) nga Republika e Shqipërisë. Gjatë kontrollit të një automjeti tip “Kia” me targa shqiptare, të cilin e drejtonte ai, u gjetën 10 persona emigrantë, nga të cilët 7 nga Egjipti dhe 3 nga Maroku. Emigrantët janë dërguar në Qendrën e Pranimit dhe Transitit në Gjevgjeli, ndërsa i arrestuari është mbajtur në stacionin policor. Është njoftuar Prokurori Publik dhe, pas hetimit dhe dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal”, thonë nga MPB.






