Shtetasi i Maqedonisë ia “sheh hajrin” emrit të tij, gabimisht u lirua nga burgu në Austri

Një gabim i rëndë në sistemin gjyqësor të Austrisë ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi për shkak të ngatërrimit të emrave, personi i gabuar u lirua nga qendra e paraburgimit në Linz.

Shkaku? Dy të burgosur kishin të njëjtin emër dhe mbiemër, ndërsa datat e lindjes duket se nuk u kontrolluan.

Personi që duhej të lirohej ishte një 17-vjeçar i dyshuar për vjedhje. Në vend të tij, u lirua një 30-vjeçar, shtetas i Maqedonisë, i cili duhej të dëshmonte në një proces për tentim vrasje. Sipas raportimeve, ai kishte ndihmuar një të afërm të shpëtonte pasi ky i fundit kishte qëlluar një person tjetër. Policia konfirmoi raportimin e bërë nga gazeta “Kronen Zeitung”.

Shtetasi i Maqedonisë në arrati

Kur gabimi u zbulua, ishte shumë vonë. Shtetasi i Maqedonisë që u liruar gabimisht ishte tashmë jashtë mundësisë për t’u kapur nga autoritetet. Aktualisht, policia po e kërkon atë me urdhër arresti.

Incidenti ka pasojë edhe për personelin, ndaj zyrtarit përgjegjës është hapur një procedurë disiplinore.

Ndryshime në procedura

Përveç kësaj, procedurat në qendrën e paraburgimit në Linz po ndryshohen. Është futur një rregull i ri “me dy sy”, që synon të parandalojë ngatërrime të ngjashme në të ardhmen. Nga tani e tutje, dy zyrtarë duhet të kontrollojnë identifikimin e të burgosurve para lirimit të tyre.