Shtëpia e Kulturës në fshatin Mateç u emrua me emrin e piktorit Rexhai Hiseni Xhai!

Mbrëmë Në fshatin Mateç, Shtëpia e Kulturës merr emrin e njërit prej bijve të saj më të shquar: Rexhai Hiseni – Xhai. Ky emërim nuk është vetëm një akt institucional, por një gjest i thellë mirënjohjeje ndaj një jete të kushtuar artit, dijes dhe kulturës shqiptare. Rexhai Hiseni Xhai përfaqëson një personalitet të rrallë dhe multidimensional. Për më shumë se katër dekada ai ishte mësues dhe edukator, duke formuar breza të tërë me përkushtim dhe dashuri për dijen. Paralelisht me misionin e tij arsimor, Xhai ndërtoi një univers të pasur artistik, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kulturore të këtij vendi dhe më gjerë në hapësirën mbarëkombëtare shqiptare. Ai gjithashtu ishte njeri i familjes, një figurë e qetë dhe e qëndrueshme, ku vlerat njerëzore dhe morale gjenin vazhdimësi nga jeta private në krijimtarinë artistike. Në pikturën e Xhait nuk gjejmë vetëm ngjyra dhe forma. Aty gjejmë kujtesën e një kohe, traditën, folklorin, identitetin dhe një dialog të heshtur, por të thellë, me realitetin shoqëror. Me stilin e tij tashmë të dallueshëm, të ndërtuar mbi kubizmin figurativ dhe elemente të ekspresionizmit, ai dokumentoi jetën e përditshme: bujqit, zejtarët, dasmat, ritualet familjare dhe dinjitetin e njeriut të thjeshtë. Këto figura nuk janë thjesht personazhe, por bartës të një kulture dhe të një përvoje kolektive. Po aq natyrshëm, Xhai me shumë guxim sepse dihet ne atë kohë të viteve të diskriminit shqiptar riktheu historinë në pikturë. Përmes portretizimit të figurave si Skënderbeu, Çerçiz Topulli dhe heronj të tjerë kombëtarë, ai dëshmoi ndërgjegjen e tij historike dhe kombëtare, duke e shndërruar artin në një mjet kujtese dhe reflektimi. Ai ishte aktiv në jetën kulturore të qytetit dhe më gjerë, duke organizuar ekspozita personale dhe duke marrë pjesë në qindra ekspozita kolektive. Veprat e tij u ekspozuan në galeri të shumta në qytetet e ish-Jugosllavisë, duke e bërë emrin e tij të njohur dhe të respektuar në qarqet artistike të kohës.  Vepra e Rexhai Hiseni Xhait krijoi një urë të qëndrueshme mes traditës dhe modernitetit, mes kujtesës kolektive dhe vizionit personal. Për këtë arsye, ai mbetet jo vetëm piktor, por edhe një udhërrëfyes shpirtëror për brezat e rinj të artistëve. Këtë e dëshmon edhe veprimtaria e shumë krijuesve të këtyre trevave, të cilët, për ta nderuar trashëgiminë e tij, themeluan Shoqatën e Piktorëve që mban emrin e tij.

Prandaj, aprovimi i propozimit të kësaj shoqate nga Këshilli Komunal, nën drejtimin e kryetarit z. Erkan Arifi, që Shtëpia e Kulturës në vendlindjen e Xhait të mbajë emrin e tij, përbën një moment të veçantë dhe domethënës. Ky akt është nder për familjen e tij, për komunitetin artistik dhe për gjithë Komunën e Likovës. Shtëpia e Kulturës që tashmë mban emrin Rexhai Hiseni Xhai dëshmon se ai nuk i përket vetëm së kaluarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes sonë. Përmes artit të tij, ai na mëson se identiteti ruhet, historia kujtohet dhe kultura mbijeton vetëm atëherë kur nderohen ata që i dhanë shpirt asaj.

Me respekt: Dali Alili