Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar forcat ushtarake amerikane të përqendrohen pothuajse ekskluzivisht në zbatimin e një “karantine” të naftës venezueliane për të paktën dy muajt e ardhshëm, ka thënë një zyrtar amerikan për Reuters, duke treguar se Uashingtoni aktualisht është më i interesuar të përdorë mjete ekonomike sesa ushtarake për të ushtruar presion mbi Karakasin.
“Ndërsa opsionet ushtarake ende ekzistojnë, fokusi është që së pari të përdoret presioni ekonomik duke zbatuar sanksione për të arritur rezultatin që Shtëpia e Bardhë po kërkon”, ka thënë zyrtari të mërkurën, duke folur në kushte anonimiteti.
Ndërsa presidenti Donald Trump ka qenë publikisht i rezervuar për qëllimet e tij të sakta në lidhje me Venezuelën, ai privatisht i ka bërë presion presidentit venezuelian, Nicolas Maduro të largohet nga vendi.
Trumpi ka thënë të hënën se do të ishte e zgjuar që Maduro të largohej nga pushteti.
“Përpjekjet deri më tani kanë ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi Maduron dhe besohet se deri në fund të janarit, Venezuela do të përballet me një fatkeqësi ekonomike nëse nuk pranon të bëjë lëshime të mëdha në raport me SHBA-në”, ka thënë zyrtari.
Trumpi e ka akuzuar vendin e Amerikës së Jugut se po e përmbyt SHBA-në me drogë, teksa administrata e tij ka muaj që bombardon anije me origjinë nga Amerika e Jugut që pretendon se transportonin drogë.
Shumë vende i kanë dënuar sulmet duke i cilësuar si vrasje jashtëgjyqësore.
Trumpi gjithashtu ka kërcënuar shpesh se do të fillojë bombardimin e infrastrukturës së drogës në tokë dhe ka autorizuar aktivitete të fshehta të CIA-s në Karakas.
Këtë muaj, Roja Bregdetare e SHBA-së ka kapur dy cisterna në Detin e Karaibeve, të dyja të ngarkuara plotësisht me naftë bruto venezueliane.
Komentet e zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë të mërkurën vijnë pasi Reuters raportoi se Roja Bregdetare po priste forca shtesë për të kryer një sekuestrim të tretë, i cili u tentua për herë të parë të dielën, kundër një anijeje të boshatisur të sanksionuar, të njohur si Bella-1.




