
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka thënë të martën vonë se nuk ka plane që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe lideri i Rusisë, Vladimir Putin, të takohen “në të ardhmen e afërt”, pavarësisht se disa ditë më herët Trump kishte thënë se po organizohej një takim tjetër mes tij dhe presidentit rus.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjithashtu nuk kanë plane të takohen personalisht, u tha gazetarëve zyrtari amerikan, duke shtuar se një bisedë telefonike mes tyre ishte “frytdhënëse”.
Ky sqarim vjen pas raportimeve se bisedimet përgatitore midis diplomatëve më të lartë të të dyja vendeve kishin ngecur, gjë që me shumë gjasë do të vonojë takimin e propozuar.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se as një takim i tillë nuk ishte planifikuar fare.
“Diçka për të cilën nuk je pajtuar paraprakisht nuk mund ta shtysh. Ne nuk e konfirmuam atë që disa burime perëndimore shkruan dje. Ne nuk kishim asnjë marrëveshje në lidhje me kohën apo vendin e një kontakti të tillë”, u citua ai të ketë thënë nga agjencia e lajmeve RIA Novosti.
Mundësia për një takim mes Trumpit dhe Putinit në Budapest u shfaq gjatë një telefonate midis dy udhëheqësve më 17 tetor.
Pritshmëritë ishin që Rubio dhe Lavrov të takoheshin për të vënë themelet para bisedimeve. Ata e zhvilluan vetëm një bisedë telefonike më 20 tetor.
Duke folur të martën, Lavrov tha se ishte pajtuar me Rubin për vazhdimin e konsultimeve telefonike “për të kuptuar më mirë ku jemi dhe si të ecim në rrugën e duhur”.
Ai tha se qëllimet ushtarake të Rusisë mbeten të pandryshuara dhe se “operacioni i saj i posaçëm ushtarak” do t’i arrijë synimet e veta.
Lavrovi e përsëriti gjithashtu kundërshtimin e Rusisë ndaj armëpushimit të menjëhershëm, duke thënë se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje që i eliminon ata që Kremlini e quan “shkaktarët rrënjësorë” të luftës.
Trump kishte thënë më 17 tetor se forcat ruse dhe ukrainase duhet të “ndalen aty ku janë” në fushën e betejës.
Më herët, Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë se Rubio kishte “theksuar rëndësinë e angazhimeve në vijim si një mundësi për Moskën dhe Uashingtonin për të bashkëpunuar në avancimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për luftën Rusi–Ukrainë, në përputhje me vizionin e presidentit Trump”.
Trump tha më 20 tetor se përpjekjet për të arritur një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës për të ndaluar luftën janë duke vazhduar dhe paralajmëroi se nëse marrëveshja nuk arrihet, pasojat do të jenë serioze.
“Ne ende jemi në proces për të bërë një marrëveshje [për të ndaluar luftën]. Nëse e bëjmë, do të jetë fantastike. Nëse jo, shumë njerëz do të paguajnë një çmim shumë të rëndë”, tha Trump në një takim në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin australian Anthony Albanese./REL