Administrata Trump ka filluar të pushojë nga puna mijëra punonjës federalë në një përpjekje për të ushtruar presion mbi demokratët mes mbylljes së vazhdueshme të qeverisë.
Trump fajësoi të premten demokratët për vendimin e tij për të pushuar punonjësit nga puna në të gjithë qeverinë amerikane, ndërsa ai ndoqi “kërcënimin” e tij për të shkurtuar fuqinë punëtore federale gjatë mbylljes së qeverisë.
“RIF-et kanë filluar”, njoftoi Drejtori i Zyrës së Menaxhimit të Shtëpisë së Bardhë, Russell Vought, në një postim në platformën X të premten në mëngjes, kur administrata zbuloi se shtatë agjenci kishin filluar të pushonin nga puna më shumë se 4,000 punonjës për “reduktime në fuqi”.
Sipas ligjit, qeveria federale duhet t’u japë punonjësve të saj një njoftim të paktën 30 ditë përpara se ti pushoj nga puna.
Pas postimit në Twitter të Vought, departamente të mëdha si Thesari dhe Shërbimet e Shëndetësisë dhe Njerëzore (HHS) konfirmuan se po lëshonin njoftime për punonjësit, dhe Siguria Kombëtare, ku shumë prej punonjësve të saj konsiderohen thelbësorë, tha se do të pushonte nga puna punonjësit në Agjencinë e saj të Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës.
Ndërkohë, Federata Amerikane e Punonjësve të Qeverisë dhe AFL-CIO, kishin ngritur një padi duke sfiduar ligjshmërinë e planeve të njoftuara të Vought për të kryer shkurtime nga puna gjatë mbylljes.
Të premten, pasi Vought tha se procesi kishte filluar, ata i kërkuan një gjykate federale në Kalifornian Veriore që ta bllokonte përkohësisht këtë veprim.
“Është e turpshme që administrata Trump e ka përdorur mbylljen e qeverisë si justifikim për të pushuar në mënyrë të paligjshme nga puna mijëra punëtorë që ofrojnë shërbime kritike për komunitetet në të gjithë vendin”, tha presidenti i AFGE-së, Everett Kelley.
Në kundërshtimin e tyre ndaj urdhrit të përkohshëm kufizues, avokatët e OMB-së zbuluan se cilat agjenci dhe sa prej punonjësve të tyre do të prekeshin të parat, duke treguar se rreth 4,600 punonjës do të merrnin njoftime RIF duke filluar nga e premtja.
“Presidenti, nëpërmjet OMB-së, ka përcaktuar që agjencitë duhet të veprojnë në mënyrë më efikase dhe i ka udhëzuar ato të marrin në konsideratë hapa për të optimizuar fuqinë e tyre punëtore në dritën e mungesës së vazhdueshme të alokimeve”, argumentuan avokatët e departamentit të drejtësisë në dosje.
Më shumë se një e katërta e shkurtimeve do të bëheshin në Departamentin e Thesarit, ku njoftimet po u dërgoheshin afërsisht 1,446 punonjësve.
Departamenti i Arsimit dhe Departamenti i Strehimit dhe Zhvillimit Urban mund të pushojnë nga puna të paktën 400 punonjës secili, ndërsa Departamentet e Tregtisë, Energjisë, Strehimit dhe Zhvillimit Urban dhe Sigurisë Kombëtare planifikonin secili shkurtime nga 176 deri në 315 punonjës, sipas dokumentit të paraqitur.
Në dokument thuhej gjithashtu se 20 deri në 30 punonjës në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit morën njoftimin “me qëllim për RIF” të premten, duke i njoftuar ata se mund të preken në të ardhmen. Agjenci të tjera federale gjithashtu mund të bëjnë shkurtime.
Një mbyllje nënkuptonte që punonjësit federalë “jo-thelbësorë” do të vendoseshin në pushim të papaguar. Aktualisht kjo po prek rreth 40% të fuqisë punëtore federale, rreth 750,000 njerëz.
Punonjësit e pezulluar nga puna supozohet ligjërisht të marrin pagat e prapambetura pasi të përfundojë një mbyllje dhe ata të kthehen në punë, por administrata Trump ka lënë të kuptohet se kjo mund të mos ndodhë.
Përpara mbylljes, zyra e Vought udhëzoi agjencitë federale të përgatisnin plane për reduktimin e fuqisë punëtore që synonin shkurtimin e punonjësve ose programeve, financimi i të cilave mund të ndërpritej ose “nuk ishte në përputhje me prioritetet e Presidentit”, raportoi Politico.
Një ditë pasi filloi mbyllja e qeverisë, Trump postoi në Truth Social se ishte takuar me Vought “për të përcaktuar se cilat nga shumë agjencitë demokrate, shumica e të cilave janë një mashtrim politik, ai rekomandon të shkurtohen, dhe nëse këto shkurtime do të jenë të përkohshme apo të përhershme”.