Shtatë ushtarë amerikanë të plagosur në operacionin për kapjen e Maduros

Shtatë pjesëtarë të forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara u plagosën gjatë një operacioni ushtarak për kapjen e presidentit venezuelas Nicolás Maduro, bëri të ditur një zyrtar i administratës amerikane për Fox News.

Pesë prej ushtarëve të plagosur janë rikthyer tashmë në detyrë, ndërsa dy të tjerë vijojnë të marrin trajtim mjekësor dhe ndodhen në fazë rikuperimi.

Sipas zyrtarit, ata po marrin kujdes mjekësor të shkëlqyer dhe pritet të shërohen plotësisht.

Operacioni, i njohur si “Operation Absolute Resolve”, ishte një mision i fshehtë që u zhvillua më 3 janar, kur forcat amerikane zbarkuan në Karakas për të kryer goditje në territorin venezuelas dhe për të arrestuar Nicolás Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores.

Misioni u drejtua nga njësia elitare e ushtrisë amerikane, Delta Force.

Gjatë ndërhyrjes pati përplasje të ashpra, të cilat çuan në humbje të konsiderueshme në radhët e personelit të sigurisë së Maduros, përfshirë forca venezuelase dhe aleate.

Autoritetet venezuelase kanë pretenduar gjithashtu se ka pasur viktima civile, por këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, deklaroi se operacioni për kapjen e Maduros u urdhërua nga presidenti Donald Trump dhe përfshiu përdorim të gjerë të mjeteve ajrore, me më shumë se 150 avionë dhe helikopterë të nisur nga 20 baza të ndryshme.

Sipas tij, shërbimet amerikane të inteligjencës kishin ndjekur lëvizjet e Maduros për muaj me radhë përpara operacionit.

Operacioni nisi në orën 2:10 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe zgjati rreth dy orë e gjysmë. Gjatë tij, një helikopter u godit, por mbeti funksional.

Paralelisht me veprimet në terren, njësitë amerikane të luftës kibernetike kryen një sulm që la pjesë të mëdha të Karakasit pa energji elektrike, duke ndërprerë komunikimet në të gjithë qytetin.