Shqiptari bëhet hero në Gjermani/ Burim Doberlluka shpëton nga mbytja 4 amerikanë në Dortmund

Katër turistë amerikanë i shpëtuan një situate që mund të përfundonte tragjikisht në një liqen të Dortmundit, falë reagimit të menjëhershëm të Burim Doberllukës.

42-vjeçari ndodhej pranë Phoenix See së bashku me familjen, kur dalloi njerëz në vështirësi në ujë pas përmbysjes së një varke me pedale. Teksa një prej grave kërkonte ndihmë, Doberlluka hyri menjëherë në liqen, pa pasur kohë as të hiqte rrobat.

Ai arriti tek turistët dhe i ndihmoi një nga një, derisa të katërt u vendosën në një mjet të sigurt dhe më pas u dërguan në breg.

“Në ato momente nuk mendon, vetëm vepron. Ishte si një skenë filmi”, ka treguar Doberlluka pas ngjarjes.

Gjithçka ndodhi përpara mbërritjes së ekipeve të emergjencës. Për ndërhyrjen që shmangu një tragjedi, Policia e Dortmundit e vlerësoi shqiptarin për guximin dhe përgjegjësinë e treguar.

Një pasdite familjare përfundoi kështu me katër jetë të shpëtuara dhe me një shqiptar të nderuar në Gjermani.