Kush nuk i do udhëtimet? Në prag festash, ato bëhen zgjedhja ideale për të kaluar disa ditë me miqtë, familjarët apo partnerin. Dhe ndonëse nëntori konsiderohet si muaj i ftohtë apo me shira, duket se shqiptarët nuk kanë menduar kështu.
Përfaqësues të “Matias Travel and Tour” thonë për “Monitor” se, rezervimet kanë qenë në nivele të kënaqshme. Kjo mund të lidhet me faktin se, shqiptarët, kanë dashur të planifikojnë një udhëtim jashtë, duke konsideruar që ditët e pushimit zyrtare janë pesë.
Agjencia ATHS shprehet për “Monitor” se interesi për të kërkuar një destinacion për këto festa nisi shpejt dhe kanë qenë kryesisht të orientuara drejt Europës, por edhe rajonit: Mali i Zi dhe Kroacia kanë qenë të preferuara.
Nga agjencia Ilirida Travel thonë se, interesime për udhëtimet jashtë kanë qenë të ulëta për shkak të aksesibilitetit të lartë tashmë më aplikacionet e kompanive të udhëtimit që ,vitet e fundit e kanë bërë më të lehtë për njerëzit të planifikojnë udhëtime vetë.