Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në emër të shqiptarëve në Mal të Zi, u ka dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Evropian në Podgoricë, ku kërkon që përfaqësuesve të kësaj pakice t’u garantohen vende të rezervuara në Parlamentin e Malit të Zi.
Në letër theksohet se shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë pakicën kombëtare dhe gjuhësore autoktone dhe të vetmen jo-sllave, e cila ka kontribuar në zhvillimin dhe identitetin e vendit për shekuj me radhë.
Forumi Shqiptar njoftoi se i ka dërguar letër të gjitha ambasadave të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, delegacionit të BE-së në Mal të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve partnere – SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Kosovës – lidhur me “njërën nga çështjet kyçe të zhvillimit demokratik të Malit të Zi: sigurimin e përfaqësimit adekuat dhe të qëndrueshëm politik të popujve pakicë, veçanërisht të komunitetit shqiptar”.
“Megjithatë, përfaqësimi politik i shqiptarëve ende varet nga një prag elektoral dhe fragmentimi i votave, pa asnjë garanci kushtetuese apo ligjore. Një zgjidhje e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe paraqet një burim të vazhdueshëm të paqëndrueshmërisë politike”, thuhet në reagimin e Forumit Shqiptar.




