Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet te distancohen nga Hoxha Nexhmedin Saqipi

Screenshot

Shkruan: Adnan Asllani

Parada ushtarake e Serbisë, që u zhvillua më 20 shtator 2025, paraqet një kërcënim të hapur për rajonin në përgjithësi, dhe për Kosovën në veçanti. Mbishkrimet me parullën “Kad se vojska na Kosovo vrati” (“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”) shoqërohen me demonstrimin e forcës ushtarake, ku arsenali i armatimit përcjell vendosmërinë e këtij shteti të vazhdojë me logjikën gjenocidale që ka zbatuar gjatë një shekulli e gjysmë.
Kur shohim se kush është në krye të institucioneve politike, ushtarake dhe të aparateve të tjera të dhunës në Serbi, nuk habitem për vazhdimësinë e politikës luftënxitëse të këtij shteti. Por ajo që më çuditi në këtë rast, ishte prania në këtë paradë e Nexhmedin Saqipit, hoxhës nga Tërnoci i Madh i Bujanocit i cili është Kryetar i Bashkësisë Islame në Serbi.
Ky hoxhë ka harruar krimet e vazhdueshme që kanë përjetuar dhe përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës nga politika luftënxitëse e Serbisë.
Ky hoxhë, ka harruar se vetëm gjatë zbatimit të planit të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë më 1998-1999, ushtria serbe ka vrarë e masakruar mbi 10’000 civilë shqiptarë; mbi 20’000 femra e meshkuj ka përdhunuar seksualisht; ka shkatërruar objektet e banimit e të trashëgimisë kulturore që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar dhe ka dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova.
Në të njëjtën kohë, ka rrëmbyer e zhdukur me forcë shqiptarët nga Kosova duke i fshehur në varreza masive në Serbi e Kosovë, duke i djegur e hedhur në lumenj kufomat e shqiptarëve nga Kosova. Edhe sot nuk dihet asgjë për fatin e 1584 shqiptarëve të zhdukur nga ushtria serbe.
Është e njëjta ushtri që ka vrarë, masakruar e përdhunuar mijëra Muslimanë e kroatë në Bosnjë dhe Kroaci. Ka djegur e shkatërruar në të gjitha hapësirat e Kroacisë, Bosnjës e Kosovës… Dhe pas gjithë këtyre tmerreve që ka shkaktuar ajo ushtri, gjendet një “hoxhë shqiptar”, që rreshtohet në krahun e kokës politike dhe ushtarake gjenocidale serbe për të duartrokitur gatishmërinë e këtij shteti për krimet e radhës që ka planifikuar.
Me sa duket, hoxha Nexhmedin Saqipi nuk e ka “sefte”. Ai qenka dekoruar edhe nga ish-presidenti serb Tomislav Nikolić më 2017 për merita të veçanta në shërbim të qytetarëve serbë, duke qenë pjesë e ushtrisë serbe në vitin 1999, pikërisht në vitin më të rëndë për shqiptarët e Kosovës.
Në prononcimin e fundit të Hoxhës, ai ka konstatuar se meqenëse Kosova dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës paskan hequr dorë nga bashkimi me Kosovën, ai paska marrë iniciativën “për avancimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi”.
Çdo njeri që ka dy fije mend e ka të qartë se në çfarë drejtimi dëshiron t’i avancojë të drejtat tona, një hoxhë që është dekoruar nga presidenti serb për pjesëmarrje në ushtrinë serbe gjatë vitit 1999, kur kjo ushtri kreu gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Kambanat bien për ata që kanë vesh!

21 shtator 2025