Shqiptarët dhe Kryengritja e Ilindenit

(1903 -2020)

Masakrat, gjenocidi, asimilimi dhe shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga trojet e veta etnike nuk mund të shënohen si fitore dhe festë!

Nëse kanë qenë shqiptarët pjesëmarrës në Kryengritjen e Ilindenit, në organet drejtuese të Republikës së Krushevës dhe në aktivitete dhe zhvillime të tjera lidhur me ato ngjarje; sa kanë qenë dhe pse kanë qenë një pjesë e shqiptarëve (kryesisht të besimit ortodoks) të përfshirë në këto ngjarje, aktualisht nuk është koha e përshtatshme të sillen përfundime të drejta e të sakta, për shkak të falsifikimit dhe shtrembërimit të së vërtetës në një periudhë tepër të gjatë, mbi një shekull; për shkak të fakteve dhe burimeve historike të pamjaftueshme (arkivat e shërbimeve sekrete të shteteve fqinje janë të mbyllura për shqiptarët), si dhe për shkak të mospastrimit të këtyre ngjarjeve dhe të figurave historike lidhur me ato, të kontestuara mes shteteve fqinje, Maqedonisë Veriore dhe Bullgarisë.

Sidoqoftë, shqiptarët kanë më pak arsye nga gjithë të tjerët të bëhen pre dhe viktima të kësaj propagande, mbi të cilën popujt fqinj kanë krijuar mite të rrejshme, histori të paqena për nevojat e historisë së tyre, krijimit të identiteteve kombëtare dhe të shteteve të tyre, që kryesisht janë në dëm të shqiptarëve, të trojeve etnike të tyre dhe të çështjes shqiptare, që fatkeqësisht edhe një pjesë e historiografisë shqiptare i ka pranuar si të vërteta, të mirëqena, madje duke u shënuar kjo ngjarje si festë edhe nga shqiptarët vendës në Maqedoninë Veriore.

Ajo që duhet ta dinë shqiptarët, në Maqedoninë Veriore dhe kudo që janë, janë faktet e pamohueshme mbi krimet ndaj shqiptarëve vendës dhe vendbanimeve të tyre gjatë asaj periudhe.

LAGËT SHQIPTARE QË EDHE SOT KULLOJNË GJAK

Terrori mbi popullsinë shqiptare të Krushevës dhe Manastirit me rrethinë në fillim të shek. XX, në dritën e burimeve historike

Pasojat nga Kryengritja e Ilindenit në Krushevë dhe rrethinë, nga filli i muajit gusht 1903 e më vonë, sipas burimeve historike kanë qenë:

5 328 – të vrarë dhe plagosur nga radhët e ushtrisë osmane, shumica me përkatësi shqiptare;

994 – kryengritës të vrarë dhe plagosur, shumica shqiptarë;
4 694 – civilë të vrarë dhe masakruar;

3 122 – gra dhe vasha të përdhunuara;

176 – gra dhe vasha të grabitura (kidnapuara);

12 440 – shtëpi të djegura dhe të shkatërruara;

70 835 – njerëz të mbetur pa shtëpi dhe strehim.

Një krahinë e tërë e banuar kryesisht me shqiptarë, e rrafshuar përtokë, e shndërruar në hi e pluhur!

Shumica e këtyre viktimave kanë qenë shqiptarë nga qyteti i Krushevës, i Manastirit dhe rrethinës; ata të besimit ortodoks i ka goditur kryesisht pushteti osman, ndërsa ata të besimit islam i kanë goditur kryesisht çetat e komitëve bullgarë.

Kush i ka mbrojtur shqiptarët nga dhuna e terrori, shfarosja dhe shpërngulja me dhunë gjatë asaj kohe? Kush është dashur ta shkruaj historinë e vërtetë, mbështetur në burimet historike të vërteta, jo siç e kanë shkruar dhe falsifikuar pushtuesit dhe sunduesit e mëvonshëm të këtyre trevave shqiptare?!

(1 gusht 2020)

Loading...